E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Kashar: Fitorja në 2009, e sigurt

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi një takim me strukturat e LSI-së, anëtarë dhe simpatizantë të saj në Kashar. "Ne do të kishim dëshiruar që kandidati ynë të dilte fitues në këto zgjedhje dhe jo thjesht forca e dytë politike, por kjo ka qenë një sfidë e vështirë, sepse anëtarët dhe simpatizantët tanë nuk janë ballafaquar vetëm me PD-në, por janë ballafaquar me të gjithë shtetin, sepse i gjithë shteti dhe e gjithë qeveria ka qenë në çdo moment afër qendrave të votimit, duke iu bërë presion votueseve", tha Meta. Në përfundim të këtij takimi, ai u shpreh optimist jo vetëm për suksesin e arritur në këtë komunë. "Me këtë ritëm që po punohet jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë, LSI-ja në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës, do të jetë forcë e parë politike në vend", u shpreh Meta. Kreu i LSI-së këmbënguli se kjo parti është një forcë politike opozitare, që Sali Berisha nuk ka ku ta kapë, nuk ka si ta trembë. "Në sistemin e ri të zgjedhjeve, që është ai proporcional, LSI-ja i ka të gjitha shanset që të arrijë një rezultat spektakolar, duke na bërë një forcë kryesore, vendimtare në qeverisjen e ardhshme të vendit", premtoi Meta. Sipas tij, kjo parti nuk do të jetë në shërbim të një kaste, por një qeverisje në shërbim të forcimit të shtetit të së drejtës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›