E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbi, lajmërim fals për vdekjen Solanës

Serbët "hakmerren" ndaj Solanës. Në rrugët e bulevardit të Beogradit janë ngjitur postera që lajmërojnë vdekjen false të shefit të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Havier Solana. Lajmi fals, i cili do të shpërndahej në rrugët më të rëndësishme të Beogradit, është parandaluar nga policia e vendit. Katër persona janë ndaluar dje nga Policia e Beogradit, të cilët kishin si synim të ngjisnin në muret e qendrës së kryeqytetit të Serbisë postera që lajmëronin se "I dashuri ynë Havier Solana, më në fund ndërroi jetë, më 28 shtator në moshën 66-vjeçare të jetës së tij kriminale". Policia e Serbisë ka bërë të mundur arrestimin e katër personave, për shkak se dyshohen se kanë ngjitur postera në qendër të Beogradit me përmbajtje fyese për shefin e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Havier Solana. Si sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në vitin 1999, Solana urdhëroi bombardimin e Serbisë për të ndalur fushatën e spastrimit etnik në Kosovë.

Policia tha se dy nga të arrestuarit kishin me vete rreth 100 postera me "përmbajtje fyese që do t‘i ngjisnin në muret e qendrës së Beogradit". "Bashkimi Evropian është i hapur për të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Republikën e Kosovës, e cila me apo pa Serbinë, do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian". Kështu u shpreh në Prishtinë përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri pranë Bashkimit Evropian, Havier Solana, vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa zhvilloi takime me Presidentin Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi. Në tetor të 2004-ës, Solana vizitoi Beogradin me synim për të kërkuar nga autoritetet e larta drejtuese të këtij vendi që të bashkëpunonin me Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës. Kjo vizitë pasoi atë të ish-kryeprokurores së kësaj gjykate, Karla del Ponte, e cila i bëri thirrje të vazhdueshme Beogradit që të dorëzojë të akuzuarit për krime lufte.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›