E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Në 2009 nis ndërtimi i linjës 400 KV Tiranë-Prishtinë

 

Fabiola Çela

Vitin e ardhshëm pritet të nisë ndërtimi i linjës së transmetimit mes Shqipërisë dhe Kosovës,  e cila do të përfundojë pas 20 muajsh. Ndërtimi i linjës 400 kilovolt Tiranë-Prishtinë është shumë i rëndësishëm për sistemet energjetike të dy vendeve. Sipas kreut të OST-së Ymer Balla, qeveria gjermane përmes bankës KFW, do të mbështesë me një grant, konsulencën dhe mbikëqyrjen e realizimit të projektit për linjën 400 kilovolt të interkonjeksionit Tiranë-Prishtinë për pjesën shqiptare. Konkretisht pak ditë më parë drejtori i përgjithshëm i Operatorit të Sistemit të Transmetimit Balla, ka nënshkruar një marrëveshje me drejtuesit e KFW-së, të cilët kanë premtuar se do të bashkëpunojnë me qeverinë shqiptare në projektet e energjetikës.
Tiranë-Prishtinë
Sipas Ballës, marrëveshja e nënshkruar mes OST-së dhe drejtuesve të KFW-së ka si qëllim financimin me kredi me terma koncesionale nga KFW të projektit "Linja unazore 110 kv për Shqipërinë e Jugut si dhe linja 400 kv Tiranë-Prishtinë. Qeveria gjermane ka vendosur që për realizimin e këtyre projekteve të financojë shërbimet e ekspertëve për përgatitjen e këtyre projekteve, si dhe asistencën për përgatitjen e tenderëve për këto dy projekte. Granti për linjën e jugut nga qeveria gjermane arrin vlerën e 600 mijë eurove, ndërsa për linjën me Kosovën është 700 mijë euro. Sipas drejtorit Balla, projekti për ndërtimin e linjës se interkonjeksionit 400 kv Tiranë-Prishtinë përfshin ndërtimin e një linje të tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së cilës 85 km në territorin e Kosovës, si dhe fuqizimin e nënstacioneve 400 /220 kv Tirana 2 dhe Prishtinë. Kostoja financiare për realizimin e këtij projekti përllogaritet të jetë gati 42 milionë euro. Qeveria gjermane përmes bankës KFW është shprehur e gatshme, që të financojë këtë projekt.
Linja e jugut
Linja unazore 110 kv në jug të Shqipërisë ka një gjatësi totale prej 90 km. Unaza e jugut është ndarë në dy projekte. E para, është linja e transmetimit jug-lindje 110 kv Ersekë-Përmet dhe e dyta linja jugperëndim Babicë 110 kv(Vlorë)-Sarandë 54 km. Projekti parashikon që në unazën e jugut të ndërtohen dy  nënstacione, një në Orikum dhe tjetri në Himarë. Puna për ndërtimin e kësaj linje është parashikuar që të nisë në 2009-ën dhe është parashikuar të përfundojë pas 3 vjetësh. Sipas drejtorit Balla, ndërtimi i linjës unazore 110 kv do të ndihmojë në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike të jugut të vendit.
Linja me Podgoricën
Një tjetër linjë interkonjeksioni shumë e rëndësishme për sistemin energjetik shqiptar është ajo me Podgoricën. Sipas OST-së linja e interkonjeksionit Elbasan-Tiranë-Podgoricë pritet të përfundojë në shtator të vitit të ardhshëm. Me ndërtimin e kësaj linje, rrjeti energjetik shqiptar do të zgjidhë një herë e mirë problemet me importin e energjisë, pasi do të rrisë ndjeshëm kapacitetet importuese të linjave. Aktualisht ka nisur procesi i ndërtimit në terren i linjës.

Rikthehen ndërprerjet e energjisë në kryeqytet

Energjia elektrike do të mungojë sot për orë të tëra në disa zona të kryeqytetit. Këtë herë, shkak për rikthimin e ndërprerjeve të energjisë janë remontet. Sipas një njoftimi të bërë nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), si pasojë e në remonti që do të kryhet në linjën Tiranë-Zog i Zi energjia elektrike do të mungojë nga ora 09.00 deri në orën 15.00. Për pasojë nuk do të kenë energji elektrike zona e Laprakës, Zogu i Zi, disa pallate pranë shkollës "Harry Fulltz", pallatet përreth fushës së aviacionit, si dhe rruga "Jordan Misja". Grupet e punës të OSSH dhe OST kanë kryer punime të vazhdueshme si në linjat e tensionit të lartë, ashtu edhe në nënstacionet elektrike gjatë muajve gusht-shtator të këtij viti. Sipas drejtuesve të lartë këto remonte ishin të planifikuar më parë dhe kishin si qëllim të përmirësonin gjendjen në sistemin energjetik, në mënyrë që të sigurohej furnizimi me energji i konsumatorëve gjatë stinës së dimrit. Për pasojë, energjia elektrike mungonte pothuajse në të gjitha zonat e vendit me përjashtim vendet turistike.

Zonat pa drita

• Lapraka

• Zogu i Zi

• Disa pallate pranë "Harry Fulltz"

• Zona rreth fushës së aviacionit

• Rruga "Jordan Misja"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›