E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, funeral shtetëror për Gazideden

 

BLEDAR HOTI

"Bashkim Gazidede dha një kontribut historik të shkëlqyer në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Qëndroi vendosmërisht në mbrojtje të shtetit dhe Kushtetutës, interesit kombëtar në momentet tragjike të rebelimit komunist të 1997-ës". Ky ka qenë vlerësimi i dhënë nga kryeministri Sali Berisha për njeriun që drejtoi shërbimin sekret shqiptar në periudhat më të vështira të shtetit shqiptar. Kryeministri Berisha dhe kryeparlamentarja Topalli kanë asistuar së bashku, në ceremoninë mortore të zhvilluar në hollin e sallës ku zhvillohen seancat parlamentare. Maxhoranca i ka bërë të gjitha nderimet Gazidedes, si një nga deputetët e këtij Kuvendi, ndërsa përfaqësuesit e opozitës nuk ishin prezent. Mijëra njerëz të mbërritur nga të gjitha anët i kanë dhënë dje lamtumirën ish-shefit të SHIK, Bashkim Gazidede. Ndërsa ra në sy se jo të gjithë deputetët e maxhorancës ishin prezentë në këtë ceremoni, si dhe mungonin një pjesë e kabinetit qeveritar "Berisha", si zv.kryeministri Pollo, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ministri i Kulturës, Ylli Pango, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, deputetët Besnik Mustafaj dhe Preç Zogaj. Në këtë ceremoni, i pari nga shtetarët e lartë që ka mbërritur ishte presidenti Bamir Topi. Ai ka bërë homazhe i vetëm, në ora 12:20 duke vendosur një buqetë me lule pranë trupit të së ndjerit. Ndërsa nuk kanë munguar kurorat me lule përkushtuar "njeriut të mistereve" nga ish-punonjësit e SHIK. Pas më shumë se gjysmë ore homazhesh kanë mbërritur kryeministri Berisha dhe kryeparlamentarja Topalli. E gjithë ceremonia ka zgjatur rreth dy orë.
Vlerësimet
Për Berishën dhe Topallin, Gazidede është njeriu që nuk e la detyrën as "në momentet më të vështira të shtetit shqiptar në rebelimin komunist". "Kam një admirim të pashembullt, ai në vitin 97' qëndroi në momentet më të vështira, kur rebelët kërkonin të shkatërronin dhe të digjnin Shqipërinë", deklaroi Topalli. Ndërsa kryeministri Berisha u shpreh se: "Gazidede mori përsipër ndërtimin e shërbimeve inteligjente shqiptare, zëvendësimin e shërbimeve të diktaturës me shërbime të një sistemi demokratik. Ai mblodhi rreth vetes forca, individë e elementë ndër më të përkushtuarit". "Ai dha një kontribut historik të shkëlqyer në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Ndershmëria dhe përkushtimi i ekipit, që ai drejtoi bëri që Shqipëria, në fillim të viteve '90, të qëndrojë së bashku me aleatët e partnerët tanë me dinjitet të madh në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Ai qëndroi vendosmërisht në mbrojtje të shtetit, Kushtetutës dhe të interesit kombëtar në momente tragjike të rebelimit komunist në vitet 1997", deklaroi Berisha.

Alibeaj: Zoti e mori me vete
në oborrin e parajsës elitare

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dha vlerësimin maksimal për zv.drejtorin e Hipotekës, Bashkim Gazidede. "Shteti humbi një shërbëtor të madh dhe të përkushtuar. Kombi humbi atdhetarin e flaktë dhe birin e tij të shquar. Zoti mori pranë vetes mishërimin e vlerave më të larta morale dhe hyjnore në oborrin e parajsës së vet elitare. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij", deklaroi Alibeaj. Ministri theksoi se: "Gazidede së bashku me specialistë të shquar, organizoi SHIK, duke e vënë këtë institucion në shërbim të interesave kombëtare sipas standardeve të demokracisë së konsoliduar". "Ai qëndroi në krye të detyrës dhe me vendosmëri në ditët e vështira të rebelimit komunist, duke zbatuar me dinjitet e përpikëri ligjet e këtij vendi dhe duke i shërbyer interesave më të larta qytetare pa u tutur ndaj çdo sfide apo presioni barbar. Gazidede u bë nismëtar i bashkëpunimit të ngushtë me shërbimet partnere, duke dhënë një kontribut thelbësor në sigurinë e vendit dhe në luftën kundër terrorizmit kombëtar", theksoi Alibeaj.

Presidenti Topi
Kreu i shtetit Bamir Topi, ka qenë i pari që hyri në sallën ku bëheshin nderime të ndjerit Gazidede. Topi ka vendosur një buqetë me lule dhe ka ngushëlluar familjarët e Gazidedes. Presidenti është larguar menjëherë, duke mos dhënë asnjë prononcim për median.

Pjesëmarrësit
Në ceremoni morën pjesë shumë qytetarë dhe deputetë, ministra dhe zyrtarë. Ndër ta, anëtarët e PD-së dhe qeveritarët, Patozi, Bode, Olldashi, Basha, Gjana, Paloka, Demi, Trashani, Sulaj, Bano, Rusmali, Beja, Shehu, Bumçi, Alibeaj, Çela, Kollozi, Oketa, Gjergji, ambasadori Minarolli, Starova, Mediu, Gjata, Pone, Lezhja, Memia, Strazimiri, Qirjako, Shamata, Kule, Biberaj, Karapici, Madhi, Bylykbashi, Faruku etj.

Agim Shehu
Në ceremoni ka marrë pjesë shefi i Tatimeve, Arben Sefgjini. Ai ka qenë punonjës i SHIK, në kohën kur këtë institucion e drejtonte Gazidede. Gjithashtu nuk munguan as ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Agim Shehu dhe ish-zv. shefi i SHIK, Bujar Rama.

Blerim Çela
Deputeti i PD-së, Blerim Çela ka dalë nga salla e homazheve i përlotur. Ish-kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk ka mbajtur dot lotët gjatë daljes së tij për ish-kolegun e Parlamentit, që nga zgjedhjet e para demokratike në 1992.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›