Godo: Decentralizim të fondeve për 12 spitale rajonale
Decentralizim për spitalet publike në vend. Kjo është reforma më e re që do të aplikohet nga Ministria e Shëndetësisë. Do të jenë 12 spitale rajonale që do të bëhen të parët pjesë e saj. Nëpërmjet saj synohet menaxhim më i mirë dhe me efikasitet të fortë të buxheteve të spitaleve. "Do të kemi një decentralizim të fondeve dhe kompetencave drejt spitaleve rajonale nga qendra, e në të njëjtën kohë do të kemi një centralizim të kompetencave, të fondeve të spitaleve të vogla drejt rajoneve", tha dje ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, në ditën e dytë të seminarit ndërkombëtar për hepatitet virale. Ky seminar është organizuar nga Departamentet përkatëse të Sëmundjeve Infektive të Universitetit të Tiranës dhe atij të Barit (Itali), në mjediset e Qendrës Kulturore të Forcave të Armatosura në Tiranë. Ministrja shtoi se në kuadër të kësaj reforme, shoqatat e specialistëve do të marrin rëndësi të veçantë. "Që të bësh një menaxhim të mirë (kjo do të bëhet me supervizionin e fortë të strukturave ministrore, por do të jetë i kontrolluar dhe nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor), do të thotë që ne e kemi për detyrë me specialistët të përgatisim protokollet e detajuara për çdo akt diagnostik dhe terapeutik, duke arritur në një kosto të çdo shërbimi që ne i ofrojmë qytetarit. Ky kostifikim do t'u relatohet spitaleve të rajoneve", pohoi ministrja. Ajo shtoi se dikasteri që drejton do të përgatisë këto protokolle diagnostike dhe terapeutike, mbi të cilat strukturat e veçanta do të bëjnë kostifikimin e shërbimit. Ministrja nënvizoi se reforma spitalore kërkon që jo vetëm të hartohen këto protokolle, por spitaleve rajonale do t'u jepen më shumë fuqi kompetencë. Sipas saj, kjo përkthehet me shumë detyra për t'u zgjidhur. "Ne duhet t'i ndihmojmë ata në atë që quhet standartizim, të paktën në nivel të 12 spitaleve rajonale, në mënyrë që ata të jenë të aftë të krijojnë kapacitetet e duhura për të menaxhuar mirë buxhetin dhe për të drejtuar mirë aktivitetet e tyre", tha ministrja Godo.