Gjimnaz pa licencë në qendër të Tiranës
Shënohet skandali i radhës me arsimin privat në kryeqytet. Nxënës që për më shumë se tre javë marrin dije në një shkollë të mesme pa licencë. Bëhet fjalë subjektin e regjistruar si qendër kursesh me emrin "Nils Bor". Në rrugë postare në ambientet e gazetës ka ardhur një dosje me dokumente, që dëshmon për aktivitetin e paligjshëm të kësaj qendre. Janë rreth 12 nxënës që fill pas nisjes së vitit të ri shkollor kanë depozituar pranë gjimnazit ku studionin vërtetimet e shkëputjes për t'u regjistruar në një tjetër shkollë publike. Por pas verifikimit të emrave të tyre në drejtoritë përkatëse të këtyre gjimnazeve të kryeqytetit asnjëri prej tyre nuk figuron i regjistruar. Këtë e vërtetuan disa prej drejtuesve të këtyre shkollave. Ndërkaq, në ankesën e ardhur me shkrim në redaksi bëhet me dije, se për këtë fenomen është sinjalizuar edhe Ministria e Arsimit dhe e Shkencave. "Kemi sinjalizuar strukturat përkatëse në Ministrinë e Arsimit ,se subjekti në fjalë, i cili ka aplikuar në shtator për të marrë licencën si shkollë e mesme, ka nisur mësimin pa e marrë këtë leje. Por nga ky dikaster nuk është marrë asnjë masë. Janë rreth 12 nxënës, të cilët aktualisht, janë mashtruar dhe mësojnë tek kjo shkollë", thuhet në letër.
Aplikimi për licencë
Sipas letrës që denoncon fenomenin, qendra e kurseve "Nils Bor" ka marrë licencë vetëm në Ministrinë e Punës për të ofruar shërbimet e kurseve të gjuhëve të huaja dhe kompjuteri. "Një tjetër shkelje ligjore është se në këtë qendër ofrohen edhe kurse për maturën shtetërore. Por për t'i ofruar ligjërisht duhet licencë nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës", thekson letra. Ndërkaq, burime nga MASH konfirmuan se "Nils Bor", ka depozituar disa javë më parë dosjen e aplikimit për të marrë licencë. "Prindërve të mashtruar që kanë regjistruar fëmijët e tyre në këtë shkollë drejtuesit u kanë thënë, se licenca do të merret brenda një kohe shumë të shkurtër dhe mësimi po kryhet, për të mos humbur pjesë nga programi. Madje, disa prej prindërve konfidencialisht na kanë pohuar, se për licencën janë paguar para dhe nuk ka asnjë mundësi që dosja të mos kualifikohet", pohon letra e bashkangjitur me dosjen e dokumenteve. Gazeta disponon edhe emrat e nxënësve që po ndjekin aktualisht shkollën në këtë subjekt, por për arsye etike nuk po i boton ato. Gjithashtu, disponon vërtetimet për secilin prej tyre. Në këto vërtetime thuhet se nxënësi regjistrohet në një nga shkollat e mesme publike të Tiranës, por në fakt ashtu siç verifikuam në këto shkolla nuk figurojnë emrat e tyre. Për t'u siguruar për aktivitetin e paligjshëm shkuam vetë në ambientet e shkollës, ku hynin e dilnin që paradite herët gjimnazistë. "Si ka mundësi që lejohen në qendër të Tiranës të ushtrojnë aktivitet pa licencë, shkolla të tilla që mashtrojnë nxënësit dhe prindërit e tyre, duke u dhënë garancinë se e kanë në xhep lejen e Ministrisë së Arsimit", theksohet në letrën që denoncon fenomenin. Gjithashtu, në të shkruhet se në dijeni janë vendosur edhe organet tatimore, por ende nuk është ndërmarrë asnjë kontroll "blic" për të kapur shkelësit. "Nëse kjo gjë do të ishte bërë, gjimnazistët e mashtruar do të ishin gjetur brenda ambienteve të kësaj shkolle dhe në këtë mënyrë do të dëshmohej për mësimin e paligjshëm, që zhvillohet në ambientet e saj", pohojnë denoncuesit.
Ligji: Shkollat private vetëm me leje nga MASH
"Hapja e institucioneve arsimore private laike, në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, bëhet vetëm me leje të dhënë nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës", këtë përcakton ligji "Për arsimin parauniversitar". Sipas këtij ligji, leja jepet kur planet, programet mësimore dhe kushtet e realizimit të tyre nuk bien në kundërshtim me interesat kombëtare e legjislacionin shqiptar. "Kur provohen shkelje të dispozitave të këtij ligji, leja e dhënë për institucionet arsimore private laike, në të cilat mësimi bëhet në gjuhën shqipe, hiqet nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Për institucionet e tjera arsimore private kjo leje hiqet nga Këshilli i Ministrave", përcakton ligji. Në të nënvizohet se shkollat private, të cilave u është hequr leja, mund të bëjnë kërkesë për ta rifituar atë për vitin e ardhshëm shkollor. Në sajtin e Ministrisë së Arsimit janë të publikuara edhe lista e dokumenteve, që duhet të plotësohet për të marrë licencë. Me tej, vendimi merret nga një komision i posaçëm, në përputhje me rregullat e vendosura.
Ja sanksionet për shkelësit
Vetëm në qytetin e Tiranës ushtrojnë aktivitet të licencuar 52 shkolla të mesme private. Lista e tyre është publikisht e shpallur edhe në sajtin zyrtar të Ministrisë së Arsimit. Por ndërkaq ligji "Për arsimin parauniversitar" sanksionon, se të gjitha shkollave që ushtrojnë aktivitet në kundërvajtje me dispozitat e tij, u hiqet automatikisht licenca. "Hapja e institucioneve arsimore private dhe e institucioneve arsimore private plotësuese në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në dispozitat e këtij ligji përbën kundërvajtje administrative. Kundërvajtësit në çdo rast dënohen me gjobë, përkatësisht 500 000 lekë dhe 200 000 lekë, si dhe me ndërprerje të veprimtarisë së filluar", thekson ligji. Në të përcaktohet, se vendimi për gjobë dhe ndërprerje të veprimtarisë merret nga ministri i Arsimit dhe e Shkencës për institucionet arsimore private laike dhe nga Këshilli i Ministrave për institucionet arsimore private, në të cilat zhvillohen edhe lëndë fetare ose në të cilat mësimi bëhet edhe në gjuhë të huaj.