“Rama, interesa me lejet e ndërtimit”
ADI SHKEMBI
Ligji i ri i urbanistikës bëhet pasi deri tani lejet e ndërtimit kanë qenë mjet abuzimi dhe spekulimi. Këshilltari i kryeministrit për çështjet e Territorit dhe të Pronave, Flamur Kuçi, flet në një intervistë për gazetën "Panorama" lidhur me draftin që pritet të kalojë në qeveri.
Në ligjin e ri, a ka përplasje mes kompetencave të Ministrit të Rregullimit të Territorit dhe kreut të bashkisë ose komunës për dhënien e lejes së ndërtimit?
Së pari duhet thënë që draft ligji i ri për planifikimin e territorit është një produkt i një procesi të gjatë diskutimi, debatesh mes profesionistëve të fushës dhe grupeve të interesit. Koncepte dhe nocione të përdorura në këtë ligj janë debatuar publikisht me përfaqësues të pushtetit vendor, shoqatave profesionale dhe grupeve të interesit, si dhe me ato të qarqeve akademike. Duhet kuptuar që ky nuk është një proces i lehtë, por produkt i një procesi analitik i problemeve që kanë lindur në vite dhe sfida që kjo disiplinë ka përpara. Projekti mbështetet në një skemë që elementët themelorë ka (i) një sistem me një hierarki të qartë planifikimi (ii) një sistem ku territori të jetë i mbuluar në kohë dhe në hapësirë me planet përkatëse urbane (iii) një sistem ku planifikimi i territorit dhe investimet publike janë në sinkron me njëra-tjetrën dhe planet urbane të mos shërbejnë thjesht për leje ndërtimi por edhe për investimet në infrastrukturë (iv) një sistem të integruar planifikimi dhe jo një sistem të fragmentuar (v) një sistem që i hap rrugën menaxhimit të drejtë të pronës dhe jo spekulimeve me tregun e tokës dhe ndërtimeve. Për sa i takon shqetësimit tuaj në lidhje me lejet e ndërtimit duhet thënë që aspekti i lejeve të ndërtimit është thjesht një pjesë e ligjit dhe jo çështja themelore. Megjithatë në projekt ligj i është kushtuar një vëmendje e rëndësishme, duke detajuar disa aspekte të kësaj çështjeje. Nuk shoh në asnjë fragment të këtij projektligji ndonjë përplasje midis autoritetit dhe përgjegjësive të pushtetit qendror dhe atij vendor, aq më pak në aspektin e lejeve të ndërtimit. Kjo për faktin e thjeshtë, pasi në projektligj është shprehur qartë që vendimmarrja për lejet e ndërtimit është në nivelin lokal bashki ose komunë. Ministria e Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit në asnjë rresht të projektligjit nuk shihet si autoritet që të ketë të bëjë me procesin e dhënieve të lejeve të ndërtimit. Një gjë e tillë do të ishte një interpretim, përveçse i gabuar, edhe në kundërshtim me vetë filozofinë tonë dhe idetë tona mbi administrimin e territorit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama nëpërmjet një letre dërguar ministrit Olldashi shprehet se ligji bie ndesh me kushtetutën dhe Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore. Sipas tij, cenohet autonomia vendore dhe decentralizimi i pushtetit. Si i komentoni këto vërejtje?
Kam përshtypjen që një vërejtje e tillë duhet të specifikojë referencën. Së pari ky projektligj ka një referencë të drejtpërdrejtë në parimin e subsidiaritetit mbi të cilin është ndërtuar strategjia e decentralizimit dhe ligji i pushtetit vendor. Projektligji i planifikimit të territorit është në një përputhje të admirueshme me këtë ligj për sa kohë autoriteti i administrimit të territorit është thellësisht i decentralizuar. Aq më pak do ta shihja këtë projekt ligj të bjerë ndesh me kushtetutën. Përveç elementëve të tjerë, më lejoni ta ilustroj këtë aspekt me çështjen e lejeve të ndërtimit meqenëse me sa duket paraqitet një sensibilitet për këtë aspekt. Sot autoriteti qendror (aktualisht përfaqësuar përmes KRTRSH) bazuar në ligjin në fuqi miratuar në vitin 1998 miraton një sërë planesh, studimesh, dhe lejesh ndërtimi dhe një gjë e tillë nuk është vlerësuar ndonjëherë jo kushtetuese apo centralizuese. Në projektligjin e ri asnjë nga këto leje nuk do të miratohen në pushtetin qendror por vetëm në atë lokal. Si ka mundësi atëherë që kjo të konsiderohet në kundërshtim me parimet e decentralizimit? Z.Rama e di mjaft mirë që në ligjin ekzistues (i) studimet e qendrave të qyteteve (ii) lejet e ndërtimit mbi 5.000 m2, dhe (iii) lejet e ndërtimit jashtë vijave të verdha janë subjekt vendimmarrje në pushtetin qendror përveç atij lokal. Në projektligjin e ri, me koshiencë të plotë, kemi vendosur ta decentralizojmë akoma më tej këtë marrëdhënie. Të gjitha këto leje, në projektligjin e ri, do të miratohen vetëm në pushtetin lokal. E thënë qartë; bashkia dhe komuna do të miratojë të gjitha lejet e ndërtimit; shtëpi, pallate, dyqane, zyra dhe objekte të tjera. Asnjë nga këto lloj ndërtimesh nuk do të jetë nevoja të aprovohen në pushtetin qendror, madje as në Qark. Këshilli i Ministrave do të aprovojë vetëm leje ndërtimi të tipit; hidrocentrale, termocentrale, resorte, pra komplekse të karakterit kombëtar. Nëse kjo do të konsideroheshe në mospërputhje me parimin e decentralizimit atëherë do të sfidohesh vetë parimi i subsidiaritetit. Ftoj të gjithë ata që kanë një sensibilitet ndaj kësaj disipline, përfshirë dhe z.Rama, të gjykojnë me nota realiste dhe gjakftohtësi avantazhet që ky projektligj sjell në procesin e vështirë të administrimit të territorit.
A do të rishikohen këto vërejtje, apo qeveria është e vendosur të kalojë për miratim këtë draft?
Procesi i moderimit të qëndrimeve ndaj projekt ligjit është delikat. Shumë nga qëndrimet kanë të bëjnë me gjetjen e balancave të duhura edhe mes vetë pushtetit vendor. Ne kemi mirëpritur komente dhe sugjerime. Një pjesë e mirë e tyre ka gjetur ndërkohë reflektim në projektligj. Mjafton t'ju them që ky projektligj është në proces komentimi dhe sugjerimi për një periudhë të gjatë. Nëse qeveria do të kishte dashur të tregohej indiferente ndaj konsultimeve do ta kishte miratuar me kohë projektligjin. Ka qenë, në fakt, sensibiliteti i qeverisë ndaj qëndrimeve të aktorëve të ndryshëm të planifikimit që ka konsumuar kohën e nevojshme në proces. Kuptohet që ne jemi drejt ezaurimit të komenteve. Tashmë skema bazë e projektligjit ka gjetur një mbështetje të gjerë, qoftë nga pushteti vendor, qoftë nga shoqatat profesionale dhe grupet e interesit, ashtu dhe nga qarqet akademike të specializuara në fushën e planifikimit urban. Autoritete të fushës kanë bërë tashmë publike qëndrimet në favor të kësaj skeme dhe të projektligjit në fjalë. Ka një vullnet real të qeverisë që të reflektojë komentet, që tashmë nuk cenojnë skemën bazë të ligjit, por kanë të bëjnë me aspekte të detajit, dhe më pas kuptohet që projekti do t' i nënshtrohet dhe miratimit zyrtar në të gjitha hallkat përkatëse.
Ka akuza që ndërtuesit detyrohen të paguajnë para nën dorë për të përshpejtuar dhe për të marrë një leje ndërtimi. Disa prej tyre që nuk kanë pranuar të japin ryshfet janë zvarritur me vite ose nuk kanë marrë akoma lejen e ndërtimit. Vendosja e këtij afati shmang korrupsionin në këtë sektor?
Kuptohet që procedura të paqarta, të stërgjata dhe të komplikuara lënë vend për abuzime. Ka qenë qëndrim i vendosur i qeverisë krijimi i sistemeve dhe procedurave që shmangin në maksimum fenomenin e korrupsionit dhe të abuzimit. Në këtë kuadër, më lejoni të ripërmend avantazhin që ky projekt ligj krijon, duke përmirësuar procedurat e aprovimit të studimeve dhe lejeve të ndërtimit, përmirësim që kam bindjen e gjejnë me vend ndërtuesit dhe investitorët në vendin tonë. Në sistemin ekzistues, ndërtuesi duhet të mbledhë aprovime nga seksione të ndryshme të administratës (ndërmarrje kanalizime, ujësjellës, zjarrëfikëse etj) para se të aplikojnë për leje ndërtimi. Në projektligj është vendosur parimi i shërbimit me një ndalesë. Kjo do të thotë që ndërtuesi aplikon për leje me dokumentacionet që ai mund të disponojë. Është detyrim i administratës të sigurojë lejet e sipërpërmendura para se të miratojë lejen përfundimtare të ndërtimit. Gjithashtu përmenda që janë shkurtuar në maksimum hapat për aprovimin e lejes së ndërtimit. Ky element i kombinuar me parimin e miratimit në heshtje janë një stimul i mjaftueshëm, për të siguruar reagim nga administrata dhe shmangie të zvarritjeve që lenë shteg për korrupsion. Nga ana tjetër janë marrë masat që ky parim të mos përbëjë një instrument për të aprovuar leje të kundërligjshme për sa kohë projektligji stimulon që administratori është njësoj përgjegjës, si kur miraton lejen përmes aprovimit formal, ashtu dhe kur leja aprovohet përmes miratimit në heshtje. Pra në përgjigje të konstatimit tuaj, më duhet t'ju them që racionalja e projektligjit dhe skemës së shkurtimit të procedurave është vetë krijimi i një klime të favorshme biznesi dhe lufta konstante ndaj korrupsionit dhe abuzivizmit. Prandaj projekt ligji ka gjetur mbështetje nga sektori i ndërtuesve dhe investitorëve, ndërkohë që uroj që kundërshtitë të mos kenë në gjenezë pikërisht interesat e investuara në 'status quo'-në e tanishme ku leja e ndërtimit është shpesh herë mjet abuzimi dhe spekulimi. Në përfundim duhet të them që nuk ka ligj të përkryer, por jam i sigurt që ky projektligj do të vendosë në themele të forta dhe të mbara një sistem planifikimi që të përballet seriozisht me sfidat e menaxhimit të territorit në vendin tonë. Ky projektligj, i parë edhe në perspektivën e plotësimit të kuadrit rregullator me hartimin e normave të projektimit dhe me rregullimin e sektorit të licencimit, do të jetë një hallkë e rëndësishme në procesin e menaxhimit të drejtë dhe të qëndrueshëm të territorit.