Meta: PS-PD, demagogji me pjesëmarrjen e grave në politikë
Kryetari i LSI-së Ilir Meta, i pranishëm në konferencën e grave të kësaj partie në qytetin e Burrelit, përgëzoi angazhimin e madh të grave dhe kontributin e tyre në problemet dhe hallet e vendit. "Gjithë angazhimi i ynë dhe i të gjithave ju, tha Meta, është për të realizuar një ndryshim të madh, jo vetëm në qarkun e Dibrës, por për të dhënë një shembull për të gjithë këto zona të thella të Shqipërisë. Dhe unë besoj se ne jemi në rrugën e duhur dhe se zgjedhjet e vitit 2009 do të flasin pa asnjë diskutim, në radhë të parë për LSI, tha kreu i saj, duke shtuar se dy forcat e tjera, janë dy forca politike që karakterizohen nga një demagogji e përbashkët". Sipas tij, "ky nuk është një rol që ka të bëjë thjesht me numrin e grave në parlament, tha Meta, por padyshim që pjesëmarrja e sotme e gruas në parlament është një tregues, një aspekt i diskriminimit të thellë që përjeton vajza, gruaja dhe nëna shqiptare sot në shoqërinë tonë, për fat të keq, në përgjithësi, edhe në familjen tonë, por problemet janë shumë më të thella, janë shumë më jetike dhe të përditshme për shumicën e grave dhe nënave tona". Meta u shpreh se është i domosdoshëm një revolucion social, që duhet të ndërmerret në të gjithë Shqipërinë, për përmirësimin e pozitës sociale të vajzës, gruas dhe të nënës shqiptare, jo me fjalë, por me vepra, jo thjesht me kuota, por me bindje se vetëm në këtë mënyrë shoqëria jonë mund të jetë vërtet një shoqëri me të ardhme, një shoqëri e barabartë.