E Hënë, 2 Nëntor 2026

Italia, asistencë për trajtimin e hepatiteve virale

 

Asistencë nga specialistët italianë për parandalimin dhe kurimin e hepatiteve virale. "E gjithë kjo mbështetje do të jepet në të ardhmen e afërt", garantoi dje përfaqësuesi i Ambasadës italiane në Shqipëri,  Adriano Ciani. Deklarata u bë  në ditën e dytë të seminarit ndërkombëtar për hepatitet virale. Sipas Ciani, bashkëpunimet dypalëshe në shëndetësi janë të shumta. "Ajo që duhet të bëjmë është që këto bashkëpunime t'i çojmë drejt një programi të madh dhe sa më të koordinueshëm", - tha ai. Përfaqësuesi i Ambasadës Italiane sugjeroi nënshkrimin e një memorandumi, midis dy ministrive respektive të shëndetësisë, në kuadër të bashkëpunimit Itali-Shqipëri. "Ne kemi një qëllim që është i shumëfishtë, qëllimi për të ofruar një shërbim të sigurt në bazë të protokolleve dhe standardeve ndërkombëtare për parandalimin, terapinë e sëmundjeve virale. Të punosh për parandalimin dhe kurimin e këtyre sëmundjeve do të thotë të përmirësosh cilësinë e jetesës", tha Ciani, duke theksuar dhe se në këtë sektor Shqipëria po afrohet gjithnjë e më shumë me procesin e integrimit me Evropën e bashkuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›