E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Nëse digjen fletët e votimit, digjet pushteti i vjedhur i Berishës



Partia Socialiste apeloi dje në mënyrë ultimative, që fletët e votimit të mos digjen deri në zgjidhjen e krizës. Deputeti socialist Taulant Balla i kërkoi maxhorancës dhe Kryeministrit Berisha t’i hapin rrugë transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. “Frika nga e vërteta që përmbajnë ato kuti, nuk mund të jetë një arsye e pranueshme që t’i lejojmë Sali Berishës kushtëzimin e transparencës. I bëjmë thirrje sot Sali Berishës që as të mos ta çojë ndërmend që mund të djegë qoftë edhe një fletë të vetme votimi. Nëse Sali Berisha guxon të djegë edhe një fletë të vetme votimi, kjo do të ishte shkëndija e djegies së pushtetit të vjedhur të Sali Berishës”, u shpreh Balla. Sipas deputetit socialist, PS nuk do të tërhiqet nga kërkesat për transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit, ndërsa i bën thirrje qeverisë të angazhohet në zgjidhjen e krizës. “Kur na ndajnë dy ditë nga Samiti i Sarajevës, Qeveria e Berishës me papërgjegjshmëri të plotë po refuzon t’u vërë veshin kërkesave të partnerëve tanë ndërkombëtare, për t’u angazhuar seriozisht për zgjidhjen e krizës politike. Transparenca e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive është një domosdoshmëri dhe një kërkesë që nuk vjen më thjesht prej opozitës shqiptare, por edhe prej autoriteteve më të larta të botës demokratike” u shpreh Balla.
Ndërsa theksoi se opozita ka dhënë të gjitha provat e vullnetit për kompromis, Balla tha se djegia e fletëve të votimit nënkupton shkëndijën e djegies së pushtetit. “Maxhoranca dhe veçanërisht Sali Berisha nuk mund të fshihen më pas teknikaliteteve e përrallave me djegie kutish, por duhet t’i hapin rrugën menjëherë transparencës. I bëjmë thirrje sot Sali Berishës që as të mos ta çojë ndërmend që mund të djegë qoftë edhe një fletë të vetme votimi. Partia Socialiste nuk mund dhe nuk do të pranojë kurrë që t’i mohohet kjo e drejtë e saj kushtetuese, që tanimë gëzon mbështetjen e të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë”, tha deputeti socialist nga selia rozë. Sipas tij, Partia Socialiste nuk mund dhe nuk do të pranojë kurrë që t’i mohohet kjo e drejtë e saj kushtetuese, që tanimë gëzon mbështetjen e të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›