E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guvernatori “Hilton”

Ervin Bushati

Conrad Hilton është themeluesi i një prej zinxhirëve më të mëdha në botë me hotele luksoze. Në vitin 1925 bleu hotelin e tij të parë në Dallas, dhe në vitin 1948 e kishte shndërruar biznesin e tij në “Hilton International Company”, një nga gjigandet e kohës në shërbime hotelerie luksi. Përtej pasionit të tij të shquar për hotelet anembanë botës, Hilton shquhet si një nga filantropistët më të mëdhenj në botë, duke themeluar disa organizata në ndihmë të njerëzimit. Si besimtar dhe humanist, motoja e tij ishte: “Lutja është investimi më i mirë që mund të besh”.
Dje në një deklaratë surprizë për logjikën dhe kontekstin në të cilin lëshohet, Guvernatori i Bankës Qendrore u shpreh se: “Ndihem plotësisht i kënaqur që u bë e mundur që Bankës së Shqipërisë i ofrohet një mundësi e tillë, për të blerë një nga godinat më të vlerësuara të kryeqytetit”. Ky pasion i beftë, i papërligjur dhe tërësisht jashtë funksionit të detyrës së lartë dhe delikate që mban zoti Fullani, është një ogur i aspak i mirë për mënyrën se si po shkojnë financat publike dhe ekonomia shqiptare në këtë periudhë krize. Etja e Qeverisë për likuiditete është dëshpëruese, sidomos kur Qeverisë i mungojnë nga arka e shtetit 9 miliardë lekë që në fillim të vitit.
Situata e fundit me shtyrjen drejt kalendave greke të Eurobondit prej 400 milionë euro, e rëndon së tepërmi stresin financiar të Qeverisë prej shterimit të likuiditeteve. Huamarrja e brendshme, nën vëmendjen e veçantë nga Banka Qendrore është rritur frikshëm me 856% sipas Treguesit Fiskal të Buxhetit të periudhës së parë të vitit. Ashtu si dhe shitja e detyruar e Hotel Dajtit, tregon si për dëshpërimin e Ministrisë së Financave për para, por dhe për implikimin e Guvernatorit në kërcimin sipas muzikës së Berishës.
“Transparenca”, “Autonomia” dhe “Kredibiliteti” janë koncepte kyç në vlerësimin e performancës së një Banke Qendrore, si në vend, ashtu dhe në institucionet ndërkombëtare: Ato janë garanti kryesor në besueshmërinë për stabilitetin e një monedhe dhe shlyerjen në kohë dhe në terma të një bondi Sovran në treg. Leximi i deklaratave të tipit ‘Berisha’, shmangia nga pyetjet direkte dhe me përgjegjësi, ashtu si dhe pasioni i fundit i Guvernatorit tonë ndaj hotelerisë aktive, janë shenja të një funksionari që është jashtë funksionit të tij.
Guvernatori ‘harron’ të flasë për situatën reale të financave publike në vend me papërgjegjësinë më të madhe. Ai harron të shpjegojë se huamarrja e brendshme që është rritur frikshëm 8 herë mbi parashikimet me entuziastë të zotit Bode, është njësoj si të qëllosh veten në këmbë: këto fonde që i merren tregut të investimeve në vend, nuk e ndihmojnë aspak thirrjen e përsëritur në sinkron të Kryeministrit dhe të Guvernatorit, për të rritur investimet private në ekonomi. Ky fenomen i njohur në financë (croëding out), ndodh kur thithja e likuiditeteve të pamatë nga shteti shteron fondet e bankave për të dhënë kredi ndaj bizneseve private në vend.
Këto janë disa nga parametrat makroekonomik në rrezik nga papërgjegjësia e sinkronizuar e një njeriu që do të shesë hotele dhe tjetrit që do t’i blejë me çdo kusht. Nesër e njëjta histori absurde mund të përsëritet me Muzeun Kombëtar ose dhe me Kalanë Krujës; sepse Kryeministrit i duhen paratë dhe Guvernatorit i pëlqen të shprehë “angazhimin për gjallërimin dhe rikthimin e shkëlqimit të humbur të njërit prej objekteve me vlerat më të njohura, jo vetëm për qytetarët e Tiranës, por për të gjithë publikun e gjerë shqiptar dhe më tej”. Duket se Guvernatori Fullani e ka kuptuar moton e qarte të Hilton, por ka harruar se pasardhësja me shkëlqim e humanistit të shquar është Paris Hilton.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›