E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shanset për Bashkinë e Tiranës

Kastriot Islami

Bashkia e Tiranës formohet nga 11 Njësitë Bashkiake Nr. 1-11. Në këndvështrimin e administrimit zgjedhor në Bashkinë e Tiranës funksionojnë sipas Kodit Zgjedhor po ashtu 11 Zona të Administrimit Zgjedhor (ZAZ) me numrat ZAZ=45-55 Korrespondenca njësi bashkiake/ZAZ është ZAZ(45)/njësia bashkiake(1) - ZAZ(55)/ njësia bashkiake(11). Në këtë artikull jepet një "fotografi" e rezultateve të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 për Bashkinë e Tiranës, duke u "futur" deri në nivelin e ZAZ (apo të njësisë bashkiake), pra një "fotografi me rezolucion" më të lartë për të vrojtuar pamjen elektorale deri në nivelin e njësisë bashkiake. Po ashtu ndërtohen tri modele të thjeshta simulimi i) krahasohen rezultatet e koalicioneve APN(PD) dhe BPN(PS) sikur ASI(LSI) të mos bënte koalicion as me APN dhe as me BPN; ii) krahasohen rezultatet e koalicionit të Majtë (BPN+ASI) me koalicionin e Djathtë (APN), pra në këtë rast ASI(LSI) bën koalicion me BPN(PS) dhe iii) krahasohen rezultatet e koalicionit të Qeverisë (APN+ASI) me koalicionin e Opozitës (BPN), pra në këtë rast ASI(LSI) bën koalicion me APN(PD). Këto të dhëna krahasohen në "nivel-makro" (nivel bashkie) dhe "nivel-mikro" (nivel njësie bashkiake). Nga krahasimi i modeleve të simulimit nxirren disa përfundime paraprake që shërbejnë vetëm si një bazament apo "përafrim zero" për të projektuar analizën dhe përfundimet më komplekse për zgjedhjet vendore të 2011 në Bashkinë e Tiranës.
Krahasimi i rezultateve për APN(PD) me BPN(PS)…
Në vijim do të përdor një shënim të shkurtuar, në vend të APN(PD) do të përdoret PD dhe në vend të BPN(PS) do të përdoret PS, po ashtu në vend të ASI (LSI) do të përdoret LSI. Në nivel bashkie diferenca e votave midis BPN dhe APN është 14893 vota në avantazh të BPN. ASI ka fituar në nivel bashkie 14653 vota afërsisht sa ç'është hendeku midis BPN dhe APN. PS është fituese në 9 (nr. 1,2,3,4,5,6,7,9,10) nga 11 njësi bashkiake me diferencën më të lartë në njësinë bashkiake nr. 5 me 6974 vota. Kurse PD është fituese vetëm në dy njësi bashkiake (nr. 8 dhe 11) me avantazh përkatës 1230 vota (njësia 8) dhe 1009 vota (njësia 11). LSI rezultatet më të mira i ka në a) njësinë bashkiake nr. 6( 2561 vota ose 11.2 për qind), b) njësinë bashkiake nr. 5 (2395 vota ose 7 për qind) dhe c) njësinë bashkiake nr. 2( 1828 vota ose 5.7 për qind).
Krahasimi i rezultateve të koalicionit Qeveri me koalicionin opozitë..
Një model simulimi, nisur nga rezultatet e 28 qershorit 2009 do të ndërtohej nëse LSI vendos të konkurrojë në zgjedhjet e vitit 2011 në koalicion me PD. Në këtë rast do të kishim dy koalicione a) koalicioni PD plus LSI, që do të quhej koalicioni i Qeverisë dhe b) koalicioni i opozitës, ku do të bënte pjesë PS. Në këtë rast në nivel bashkie diferenca do të ishte Qeveri-opozitë= - 240 vota, një diferencë e papërfillshme për ta bërë konkurrimin elektoral shumë të fortë dhe vështirësisht të parashikueshëm. Në këtë rast Qeveria do të rezultonte fituese në 7 Njësi Bashkiake (nr. 2,4,6,8,9,10 dhe 11). Në fakt, në njësinë bashkiake nr. 2 diferenca do të ishte vetëm 59 vota (e papërfillshme) në favor të Qeverisë dhe vlera më e lartë e kësaj diference do të rezultonte në njësisë bashkiake nr. 11 me 2053 vota. Opozita do të ishte në avantazh vetëm në 4 njësi bashkiake (nr. 1,3,5 dhe 7) duke vazhduar të kishte rezultat më të lartë të kësaj diference në njësinë bashkiake nr. 5 me 4579 vota. Duhet vënë në dukje fakti që për shkak të koalicionit të LSI me PD është përmbysur rezultati nga në favor të PS në favor të PD në 5 njësi bashkiake (nr. 2,4,6,9 dhe 10). Në këtë opsion beteja elektorale është e hapur dhe vështirësisht i parashikueshëm fituesi.
Krahasimi i rezultateve të koalicionit të Majtë me koalicionin e Djathtë…
Një model tjetër simulimi do të konceptohej nisur nga një koalicion i LSI me PS duke formuar koalicionin e Majtë (BPN+ASI). Nga ana tjetër do të mbetej koalicioni i Djathtë, në përbërje të të cilit do të ishte vetëm APN. Në nivel bashkie diferenca në vota midis të Majtës dhe të Djathtës do të rezultonte 29546 vota ose 11.9 për qind (Majta= 54.7% dhe Djathta=42.8%). Kjo do të përbënte një bazë nisjeje për një fitore të "sigurt". Në këtë rast e Majta do të rezultonte fituese në 10 njësi bashkiake (nr. 1,2,3,4,5,6,7,9, 10 dhe 11) me rezultatin më të lartë në njësinë bashkiake nr. 5 (me 9369 vota ose 27.4 për qind ku e Majta=62.3 % dhe e Djathta=34.9%). Kurse e Djathta do të mbetej fituese me rezultat të ngushtë vetëm në një njësi bashkiake, në njësinë bashkiake nr. 8 me 516 vota ose me 3.1 për qind( e Djathta= 49.9 % dhe e Majta= 46.8 %). Duhet vënë në dukje fakti që për shkak të koalicionit të LSI me PS është përmbysur rezultati nga në favor të PD (1009 vota) në favor të PS (35 vota) vetëm në njësinë bashkiake nr. 11. Në këtë opsion simulimi me siguri të lartë fitues do të rezultonte kandidati i Majtë.
Në vend të përfundimit…
Roli i LSI mbetet përcaktues për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës edhe në nivelin e 11 minibashkive po t'u referohemi rezultateve të zgjedhjeve të 28 qershorit. ASI(LSI) duke fituar në Tiranë 14653 vota ose 5.9 për qind, aq sa është "hendeku elektoral" midis BPN(PS) dhe APN(PD,) i cili është 14893 vota ose 6 për qind, përbën faktorin "përcaktues" të garës elektorale në zgjedhjet e ardhshme për Bashkinë e Tiranës dhe të 5 minibashkive. Një koalicion i LSI me PS jep mundësi që e Majta të jetë potencialisht në avantazh ndaj të Djathtës me 29546 vota ose 11.9 për qind, shifra për një "fitore relativisht të rehatshme" (kujtoj se jemi vetëm në model simulimi). Në rast se LSI vendos të bëjë koalicion me PD, atëherë i gjithë avantazhi që PS ka ndaj PD në Bashkinë e Tiranës "ezaurohet" nga 14653 votat ose 6 për qind të votave të LSI dhe në këtë rast diferenca midis kandidatëve të Qeverisë e Opozitës do të ishte vetëm 240 vota ose 0.1 për qind. Në këtë rast beteja do të ishte e "ashpër" dhe e paparashikueshme. Në "nivel mikro" po ashtu roli i LSI është i "ndjeshëm", sidomos në rastin kur LSI bën koalicion me PD; në këtë rast avantazhi nga në favor të PS ndaj PD në 9 njësi bashkiake nga 11 njësi bashkiake në favor të PD+LSI në 7 njësi bashkiake, duke përmbysur kështu avantazhin në 5 njësi bashkiake.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›