E Diel, 1 Nëntor 2026

Shalsi: Qeveria gënjen, opozita nuk pengon liberalizimin e vizave



Deputeti socialist Eduart Shalsi iu përgjigj dje Kryeministrit Berisha, në lidhje me pozicionin e opozitës dhe ndikimin e tij për liberalizmin e vizave. “Sali Berisha vazhdon të mos kuptojë se shqiptarët nuk i hanë më gënjeshtrat e tij. Qeveria e tij ka përgjegjësinë për shtyrjen në pambarim të heqjes së vizave dhe është Sali Berisha, ai që po e vonon akoma edhe më shumë këtë proces, duke bllokuar transparencën. Sa për grevën e urisë, nuk kam çfarë komenti të bëj, përveçse faktit që çështja e parashtruar nga greva është tashmë çështje e shtruar në nivelin më të lartë ndërkombëtar”, u shpreh Shalsi. Sipas Partisë Socialiste, gjetja e zgjidhjes së krizës është plotësisht në dorën e Kryeministrit Berisha, i cili duhet të lejojë transparencë të plotë të zgjedhjeve. “Sali Berisha bën mirë të mendojë me pakëz qetësi, të reflektojë dhe të gjejë kurajon për të mos penguar zgjidhjen e krizës, të gjejë maturinë për mos penguar procesin e vizave. Të gjejë mundësinë për të menduar me pakëz qetësi për të mos bllokuar integrimin dhe mirëqenien e shqiptarëve”, deklaroi Shalsi, në një prononcim për mediat menjëherë pas mbledhjes së grupit të deputetëve të PD-së. Ditët e fundit, deklaratat në distancë mes selisë rozë dhe selisë së PD-së, në lidhje me liberalizimin e vizave dhe kushteve që pritet t’i vendosen Shqipërisë, janë bërë të shpeshta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›