Kukan: Zgjidhja, para Sarajevës
Parlamenti Europian pret lajme nga Tirana, për arritjen e konsensusit Berisha-Rama. Shefi i delegacionit Europarlamentar për Ballkanin, Eduard Kukan, i pranishëm në darkën e Strasburgut, tha dje gjatë një interviste për Top Channel, se mungesa e një marrëveshjeje mes tyre do të kishte efekt negativ te shumë eurodeputetë, që pritet të votojnë mbi liberalizimin e vizave me Shqipërinë. “Pas udhëtimit të dy liderëve në Strasburg, kuptoj që opozita po merr pjesë në Parlament, por rezultati i vlerësimit të Komisionit mbi procesin anëtarësues, pa llogaritur seriozisht situatën reale politike në Shqipëri, nuk mund të quhet i përfunduar dhe nëse nuk ka marrëveshje, kjo do t’i bënte dëm vendit”, ka deklaruar Kukan. Sipas zyrtarit të lartë evropian, palët duhet të gjejnë zgjidhje para diskutimit për liberalizimin e vizave. “Ky mendoj unë se është dhe mesazhi i qartë nga Parlamenti Europian, se pa këtë lloj marrëveshjeje, gjërat nuk do të ecin përpara. Nuk mund të parashikoj sesi do të votojë PE, nëse propozimi legjislativ i Komisionit për vizat mbërrin, ndërkohë që nuk kemi ende marrëveshje politike në Shqipëri. Por mendimi im është se një gjë e tillë do të ndikonte negativisht te shumë eurodeputetë”, ka theksuar ai. Duke vlerësuar ndërprerjen e grevës së urisë nga opozita, si mesazh për të gjetur kompromis, Kukan shtoi se marrëveshja arrihet kur firmoset nga 2 apo më shumë palë. “Vendimi u takon atyre të dyve. Ne u kemi thënë gjithçka mendonim për atë çështje që diskutohet. Greva e urisë që u ndërpre ishte një sinjal pozitiv nga opozita, si provë që ajo ka vullnet për të biseduar e për të pasur dialog, duke shpresuar një marrëveshje që mund të kthente vendin në normalitet. Marrëveshja është një dokument që firmoset nga dy apo më shumë palë, e në këtë sens them se po presim për të reja nga Tirana”, ka nënvizuar Kukan. Ai është shprehur optimist se marrëveshja do të arrihet së shpejti, duke parë edhe angazhimin e zyrtarëve të lartë evropianë, por në të kundërt ai ka paralajmëruar se gjërat për Shqipërinë mund të vështirësohen. “Shpresojmë sinqerisht se do të kemi ndonjë lajm që marrëveshja u arrit. Sepse shumë çështje kanë ngirë dhe fakti se Zhozef Dol e Martin Shuls përfshinë prestigjin e tyre personal, duke u angazhuar plotësisht në tentativën për gjetjen e një marrëveshjeje, unë mendoj së këto janë prova fort të rënda në fakt dhe nuk mund të imagjinoj se kjo iniciativë mund të dështojë. Më pas do të ishte shumë e vështirë të imagjinoje se çfarë mund të vijonte”, ka shtuar Kukan. Sipas tij, periudha e reflektimit është 2-3 javë, ndaj ende nuk është përcaktuar se kur do të mbahet takimi i dytë i nivelit “Crocodile”. Kriza shqiptare angazhoi nivelet më të larta të politikës evropiane në Strasburg dhe Bruksel. Madje një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës erdhi në muajin shkurt në Tiranë, i cili dhe pse uli palët në Presidencë, nuk mundi të arrijë në zgjidhjen e krizës.