E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: PD po largon nga puna mbështetësit tanë

Veç shqetësimeve për procesin zgjedhor, selia rozë ka shtuar dozën e akuzave në adresë të mazhorancës për një tjetër fenomen. Sipas deputetit Taulant Balla, pas zgjedhjeve, mbështetësit e Partisë Socialiste po përballen me largime nga puna. Ndërkohë, ai përsëriti vendosmërinë e Partisë Socialiste për të mbrojtur mandatin e nëntë në Qarkun e Fierit. "Pazari i qeverisjes Berisha-Meta që ka për synim vjedhjen e mandatit të nëntë të Partisë Socialiste në Fier, ka filluar këto ditë hakmarrjen ndaj personave të veçantë, të cilët mbështetën Partinë Socialiste më 28 qershor", deklaroi ai. Balla vlerësoi se kudo, në të gjithë vendin, "falangat e Sali Berishës kanë filluar të zbatojnë urdhrin politik për hakmarrje ndaj qytetarëve që më datë 28 qershor mbështetën në shumicë dëshirën dhe vullnetin për të ndryshuar Shqipërinë". Duke iu drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Balla deklaroi se maskarada e KQZ me mandatin e 9 duhet të marrë fund, në të kundërt PS nuk do të njohë zgjedhjet dhe Parlamentin e ri. "Kështu ne do të jemi të detyruar të zgjedhim rrugë alternative demokratike për rivendosjen e ligjshmërisë së zgjedhjeve. Ne denoncojmë keqpërdorimin e shumicës politike në KQZ, drejtimin dhe sjelljen arbitrare të kryetarit de jure të KQZ, të cilët janë duke zbatuar në verbëri militante urdhrat e çiftit Berisha-Meta, për shkatërrimin e procesit zgjedhor", u shpreh Balla. Nga ana tjetër, ai bëri të ditur se apeli për të gjithë ata shqiptarë që e kanë votuar PS, e që vazhdojnë të kërkojnë qëndrim të prerë, është: durim deri në përfundimin e procesit të turpshëm të diskutimit të mandatit të nëntë në Fier. "Asnjë pazar nuk mund të ndryshojë vullnetin e shprehur të të gjithë shqiptarëve. I kujtoj sot Sali Berishës dhe Ilir Metës, se ne do të mbrojmë me çdo kusht, vullnetin e shqiptarëve, sikurse do të mbrojmë çdo qytetar shqiptar nga hakmarrja primitive e çdo pazari të pisët", deklaroi Taulant Balla. Shqetësimi i largimit të mbështetësve nga puna është shprehur në një takim që kreu i selisë rozë pati me të gjithë kandidatët për deputetë disa ditë më parë. Kandidatët janë ankuar se kanë vërejtur një fenomen të tillë në bazë, menjëherë pasi mori fund procesi zgjedhor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›