E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: Kallëzim penal për presion ndaj komisionerëve

Partia Socialiste do të bëjë kallëzim penal në prokurori, për një grup personazh, sipas saj, punonjës të disa ministrive, të cilët kanë ushtruar presion mbi vëzhguesit e PS-së dhe kandidatët e saj në zonën e Kombinatit në Tiranë. Kandidati i kësaj partie, Saimir Tahiri, publikoi para mediave, fotografi dhe prova filmike se si njerëz, sipas tij pranë pushtetit, të udhëhequr nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, kanë ushtruar dhunë ditën e zgjedhjeve.

"Personat që shfaqen në këto fotografi kanë ushtruar presion dhe dhunë ndaj votuesve, ndaj komisionerëve dhe vëzhguesve të PS-së, si dhe ndaj kandidatëve të Partisë Socialiste në zonën e Kombinatit, duke mbjellë frikë e terror për të penguar procesin e votimit", tha Tahiri. Sipas tij, kjo bandë përbëhej nga punonjës të Policisë së Shtetit të veshur me uniformë dhe civilë, punonjës të SHKB në Ministrinë e Brendshme, punonjës së Drejtorisë së Burgjeve, Ministrisë së Transporteve, si dhe persona të tjerë me precedentë penalë e të njohur për botën e krimit, të gjithë të armatosur me armë dhe me mbështetjen politike të drejtpërdrejtë të ministrit Bujar Nishani, i cili drejtonte veprimtarinë e tyre nëpërmjet rojeve personale të tij. Sipas Tahirit, për pasojë, në 12 qendra votimi vëzhguesit e Partisë Socialiste janë larguar forcërisht dhe nuk janë lejuar më të vëzhgojnë procesin zgjedhor, duke cenuar në thelb integritetin e procesit të votimit dhe të drejtën e PS-së për të monitoruar me vëzhguesit e saj procesin e votimit në këto qendra.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›