Barrot: Vizat? Prisni fundin e vitit 2010
Shqipëria dhe Bosnja mund të përfitojnë nga liberalizimi i regjimit të vizave në fund të vitit 2010. Këtë e bëri të ditur dje zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Zhak Barrot. Ndërkohë, Komisioni Europian do të propozojë javës tjetër lejimin e qytetarëve të Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë të udhëtojnë në bllok pa viza, duke nisur që nga viti i ardhshëm. Sipas zëvendëspresidentit të Komisionit Europian, një propozim i tillë do të bëhet të martën e ardhshme në Strasburg, për të liberalizuar vizat për vendet e Ballkanit Perëndimor. Mbështetur në këtë propozim, regjimi i ri i vizave do të nisë më 1 janar. Propozimi duhet të formalizohet me miratimin e ministrave të drejtësisë së 27 vendeve anëtare të Bashkimin Europian. Barrot tha se vendet e para që do të përfitojnë do të jenë Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja duhet të presin deri në fundin e vitit 2010, pasi ato duhet të plotësojnë disa kërkesa. Konkretisht, në dokumentin që përgatiti Komisioni Europian për Shqipërinë, pas fazës monitoruese konstatohej se vendi ynë nuk e kalonte klasën për sa u takon reformave. Ndërkombëtarët konstatonin se janë bërë disa progrese, por nevojitet përmbushja e plotë e kritereve në të gjitha fushat e specifikuara në udhërrëfyes. "Në fushën e drejtësisë, lirisë e sigurisë, vërehet njëfarë progresi në përgjithësi, por për sa u takon fushave për heqjen e regjimit të vizave, Shqipëria nuk është ende në përputhje me standardet europiane. BE thekson rëndësinë e bërjes së një progresi të matshëm në kontrollin e kufijve, sigurinë e dokumenteve, migrimin, azilin, si dhe në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit", thuhej në dokument. Bashkimi Europian vlerësonte progres të limituar, sidomos në kuadrin ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe nënvizonte se ky fenomen "mbetet problem serioz që prek shtetin e së drejtës dhe mjedisin e biznesit në Shqipëri". "Kontrolli kufitar është më efektiv, por emigracioni ilegal mbetet shqetësim", sipas vlerësimit të vendeve anëtare. Dy kampet e mëdha politike u angazhuan në fushatën elektorale, se brenda vitit të parë të mandatit të ri qeverisës do të mundësojnë lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike u angazhuan se do të përmbushnin të gjitha reformat e kërkuara me qëllim kapërcimin e kësaj etape të integrimit europian. Aktualisht, çështja e liberalizimit të vizave është një nga pikat e bashkëpunimit qeverisës midis Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike.