E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Klosi tradhtoi partinë, u vu në shërbim të Ramës

Deklaratat politike brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim sa vijnë dhe ashpërsohen. Zërat kundër vazhdojnë t‘i mëshojnë faktit se vendimi i marrë është i gabuar, pasi po tradhtohet elektorati i majtë, duke pranuar të "bashkëjetohet" me personin i cili ka qenë kryefjala e sulmit dhe kritikave gjatë fushatës elektorale. Fatos Klosi ka theksuar se vendimi ishte i nxituar dhe shumë shpejt LSI-ja do të ndiejë pasojat të cilat do ta dëmtojnë atë si forcë politike. Pas këtyre deklaratave ka ardhur dje dhe reagimi i parë i ashpër zyrtar nga LSI-ja. Nëpërmjet anëtarit të kryesisë dhe drejtorit të informacionit, Dritan Ylli, LSI-ja ka deklaruar se Fatos Klosi ka tradhtuar besimin e LSI-së, duke i bërë shërbimin e fundit kryetarit të PS-së njëherësh dhe kryebashkiakut Edi Rama. Zyrtari i LSI-së tha se "i kemi ndjekur prononcimet ambulante të zotit Klosi nga njëri televizion te tjetri, dhe me keqardhje vërejmë që interesi i ngushtë personal dhe nepotik i zotit Klosi me Bashkinë e Tiranës, e përbuzi interesin atdhetar dhe rolin e rëndësishëm të LSI në këtë proces, që hedh baza të sigurta për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian". Jo zyrtarisht, por LSI-ja bën të ditur se kjo mbrojtje e Klosit ndaj kryetarit të PS-së, Rama, bëhet për vetë faktin se bashkëshortja e tij punon në bashki si shefe e auditit të brendshëm. Më tej, anëtari i Kryesisë së LSI-së theksoi se "kemi ndjerë zhgënjim, sikurse dhe 650 anëtarët e nderuar të Konventës së LSI, si dhe qindra mijëra mbështetësit e LSI në të gjithë Shqipërinë, për fyerjen që zoti Klosi ju bëri me një fjalor të papërshtatshëm për një "profesor", duke shpërdoruar besimin e madh shpesh të pamerituar që LSI i ka dhënë atij". Më tej Ylli i ka kujtuar anëtarit të kryesisë, Fatos Klosit, se kontributi i tij gjatë kësaj fushate nuk ka qenë në lartësinë e duhur. "Për hir të së vërtetës duhet t‘i kujtojmë zotit Klosi se nuk bëri asnjë ditë fushatë për LSI-në", tha Ylli. Drejtori i informacionit në LSI-së dje sulmoi edhe PS-në, duke deklaruar se janë të pavërteta deklaratat e zyrtarëve të selisë rozë që e lidhin Lëvizjen Socialiste për Integrim me ndikimin në vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, apo të çdo lloj komisioni tjetër vendimor për zgjedhjet. Ylli tha se "PS-ja duhet të ndjejë turp kur shprehet në këtë mënyrë, sepse edhe shqiptari më i fundit e di fare mirë se LSI-ja nuk ka ndonjë përfaqësues në ndonjë komision ku merren vendimet për zgjedhjet dhe opinioni publik gjithashtu e di mirë se shkaku kryesor që LSI-ja nuk përfaqësohet në këto komisione është pikërisht kundërshtimi i egër i PS-së". LSI-ja ka kërkuar që rezultati i zgjedhjeve të administrohet me qetësi, si dhe të analizohet me përgjegjshmëri qoftë mesazhi politik i këtyre zgjedhjeve, qoftë edhe standardet problematike të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›