Shqipëria në NATO, Senati amerikan voton protokollin
Vendimi i hap rrugë anëtarësimit të vendit në NATO. Përshëndetet nga Ambasada amerikane në Tiranë dhe kryeministri Sali Berisha.
TIRANË- Shqipëria është vetëm një hap larg anëtarësimit në NATO. Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës votoi miratimin për protokollet e hyrjes në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë. Në më pak se një vit, shumë prej shteteve anëtare të NATO-s kanë ratifikuar protokollin e Shqipërisë, ndërkohe që ky proces pritet të përfundoje pak para samitit të ardhshëm, që do të mbahet në pranverën e vitit tjetër. Ambasada e Shteteve te Bashkuara të Amerikës në Tiranë citon përmes një njoftimi zyrtar se ky akt i senatit ka një domethënie të jashtëzakonshme. “Ai përfaqëson jo vetëm një votë besimi në një prej partnerëve më të palëkundur të Amerikës, por edhe një njohje të sinqertë të vendosmërisë së qeverisë, opozitës dhe, mbi të gjitha, popullit shqiptar, për të arritur këtë objektiv të rëndësishëm”,- thuhet në njoftimin zyrtar. Kombi shqiptar, sipas ambasadës amerikane në Tiranë, ndërmori një program madhor reformash për ta përmbushur këtë synim. Megjithatë, ajo citon se shumë reforma mbeten për t’u përfunduar dhe filluar. “Ne, populli amerikan, presim me kënaqësi të punojmë me shqiptarët për të përfunduar, siç e ka thënë Presidenti Linkoln, “një detyrë të filluar kaq fisnikërisht.” Përkushtimi amerikan ndaj Shqipërisë, demonstruar aq qartë në votën e djeshme, mbetet i fortë dhe shikon nga e ardhmja”,- thuhet në deklaratë. Vendimi i senatit amerikan është përshëndetur dje edhe nga Kryeministri Sali Berisha në një dalje të posaçme për mediat. “Dita e djeshme shënon një ngjarje historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, në procesin e integrimit të tyre në NATO, si dhe në marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”,- tha ndër të tjera kreu i ekzekutivit. Shqipëria mori ftesën për anëtarësimin në NATO në samitin e Bukureshtit më 3 prill 2008.Pikërisht në këtë ditë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hop Scheffer, deklaroi se ftesa drejtuar Shqipërisë për të hyrë në NATO nuk duhet të shikohet si fundi i një procesi, por fillimi i një faze të re në zhvillimin e Shqipërisë. Më pas, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan në Bruksel, Protokollet e Anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Nënshkrimi i Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO i hap rrugë ratifikimittë këtyre protokolleve nga vendet anëtare dhe anëtarësimit më pas me të drejta të plota të Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Gjatë kësaj periudhe, Shqipërisë do t'i duhet të vazhdojë të ruajë stabilitetin politik në vend, të përmbushë deri në fund reformat si në gjyqësor ashtu edhe ato për zgjedhjet, të përmirësojë rendin dhe ekonominë e tregut, të marrë masa konkrete në luftën kundër korrupsionit, të inkurajojë dhe zhvillojërespektin për të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat e minoriteteve; të forcojë kontrollin civil demokratik mbi Forcat e Armatosura; të modifikojë legjislacionin përkatës, me qëllim që ta harmonizojë atë me sistemet standarde të Aleancës etj.