E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, fletë-thirrje Selmanllarit

Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar dy fletë-thirrje Rrahman Selmanllarit. Policia ktheu përgjigje: Është jashtë shtetit

Dëshmia e Trebickës: Miku i  Shkëlzenit, në takim me Diverolin

TIRANË- “Personi i pestë i takimit të fshehtë të Efraim Diverolit në Tiranë ka qenë biznesmeni Rrahman Selmanllari”. Në të gjallë të vet, Kosta Trebicka ia pati besuar këtë informacion vetëm Prokurorisë së Përgjithshme, gjatë orëve të stërzgjatura të dëshmisë së tij për aferën e armëve drejt Afganistanit. Nisur nga ky pohim i dëshmitarit të vdekur në rrethana misterioze, Trebicka, grupi hetimor i Prokurorisë së Përgjithshme ka tentuar dy herë të marrë në pyetje mikun e djalit të kryeministrit, Rrahman Selmanllarin, e dy herë ka dështuar. Burime të “Shekullit” pranë organit qendror të akuzës e konfirmuan lajmin, duke shtuar se fletë-thirrja është kthyer mbrapsht nga efektivët e policisë, të cilët kanë raportuar se ky shtetas ndodhet jashtë trojeve të Shqipërisë.

***

Me marrjen e dëshmisë së Kosta Trebickës, në prill të këtij vitidhe veprimeve hetimore të kryera nga ana e prokurorisë ndaj të pandehurve Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe personit nën hetim Fatmir Mediu, hetuesit janë përballur disa herë gjatë shqyrtimit të provave me emrin e shtetasit Rrahman Selmanllari. Duke parë se emri i Selmanllarit është përmendur si pjesëmarrës në takimin e fshehtë mes Efraim Diverolit, presidentit të kompanisë amerikane AEY, ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinarit, menaxherit të AEY-së, Alex Podrovskit dhe presidentit të kompanisë “Albademil”, Mihal Delijorgji për të vendosur çmimin e fishekëve që shkonin drejt Afganistanit, Prokuroria e Përgjithshme ka qenë e interesuar për ta kontaktuar këtë person. Grupi hetimor ka vendosur të marrë në pyetje vetë shtetasin Rrahman Selmanllari, në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen. Sipas këtyre burimeve, meqënëse prokuroria nuk dispononte adresën e shtëpisë së mikut të Shkëlzen Berishës, fletë-thirrjen ia ka dërguar Drejtorisë së Policisë së Tiranës për ekzekutim.

***

Dy ditë pas dërgimit të kësaj fletë-thirrjeje, më datën 20 korrik,drejtoria e policisë kthen përgjigje pranë grupit hetimor të Gërdecit,duke u shprehur: “personi që kërkoni nuk ndodhet në Shqipëri”. Grupi hetimor ka kërkuar nga ana e policisë që të verifikohet në programin e TIMS-it emri i tijdhe sërish policia ka raportuar se ky person ka dalë nga Shqipëria. “Pak ditë më parë, në adresë të këtij shtetasi kemi nisur një fletë-thirrje të dytë dhe presim që shtetasi Selmanllari të paraqitet në prokurori për të dhënë shpjegime në lidhje me përmendjen e emrit si pjesëmarrësi i pestë në takimin mes Efraim Diverolit, Ylli Pinarit, Alex Podrovskit dhe Mihal Delijorgjit, duke u prezantuar si përfaqësuesi i djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha. Sipas prokurorisë, takimi i fshehtë është denoncuar në prokurori nga biznesmeni Kosta Trebicka. Ndërkaq, pak ditë para vdekjes misterioze të Trebickës, aktivisti i njohur shqiptar në SHBA, Geri Kokalari, i bënte me dije kryeprokurores Ina Rama se personi që ka marrë pjesë në takimin e përgjuar të trafikut të armëve ka qenë pikërisht personi që akuza ka kërkuar pyetjen e e tij, shtetasi Rrahman Selmanllari. Sipas bisedës së përgjuar Trebicka-Diveroli, menjëherë pas takimit me “të dërguarin” e djalit të kryeministrit, presidenti i AEY-së i justifikohej Trebickës për përjashtimin e tij: “ka shkuar shumë lart, tek kryeministri dhe djali i tij. Unë nuk mund të luftoj këtë mafia. Është bërë shumë e madhe. Kafshët sapo dolën jashtë kontrollit”.

MOHIMI

Reagimi i Selmanllarit  për takimin me Diverolin

TIRANË- Emri i Rrahman Selmanllarit doli në skenë pas arrestimit në Itali të nipit të tij, të cilit iu gjend drogë në makinën e ambasadës shqiptare. I njohur në kryeqytet për miqësinë e tij me djalin e kryeministrit, Selmanllari i njohur si “Rafi” u lakua për pjesëmarrjen në takimin e fshehtë për armët. Fill pas këtij lajmi, Geri Kokalari tha se “Rafi” ka qenë prezent në pazaret mes Efraim Diverolit, president i kompanisë AEY, drejtorit të MIECO-s, Ylli Pinarit dhe Mihal Delijorgjit. Një fakt i tillë është mohuar nga Rrahman Selmanllari, xhaxhai i të arrestuarit 22-vjeçar në Milano. Rrahman Selmanllari ka folur edhe për akuzat e ngritura se ai është i përfshirë në trafik fishekësh

---------------------------------------------------------------------Në letër-këmbimin e tij me Geri Kokalarin, Trebicka ka shkruar se identifikimi i tij është me rrezik

E-maili i Trebickës: Identifikova personin e pestë në prokurori

TIRANË- “Nuk mund të të them se cili është personi i paidentifikuar në takim, pasi është me rrezik. Jam pyetur nga prokurorët shqiptarë për të dhe kam dhënë të gjitha informacionet që di rreth tij. Kjo është gjithçka mund të bëj për momentin. Nëse do të guxoj të pyes vërdallë për të, mund ta fus veten në telash të madh”. Ky është e-maili që Kosta Trebicka, dëshmitari tashmë i vdekur i çështjes së Gërdecit i ka nisur Geri Kokalarit më 3 korrik të vitit 2008, lidhur me takimin e përgjuar prej tij, të zhvilluar në një apartament të fshehtë në Tiranë. Përveç Efraim Diverolit, Ylli Pinarit, Alex Podrovskit dhe Mihal Delijorgjit, në këtë takim ka qenë edhe një tjetër person i prezantuar si përfaqësues i djalit të kryeministrit e për të cilin, Trebicka duket se ka pasur dijeni të plotë për identitetin e tij. Informacioni që ai kishte për këtë person që e konsideronte të “rrezikshëm”. Pas vdekjes misterioze të Trebickës, Geri Kokalari i ka postuar përgjigjen e tij prokurores së Përgjithshme, Ina Ramës, një përfaqësuesi të Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe personave të tjerë në SHBA, të cilët janë të interesuar për zbardhjen deri në fund të kësaj çështjeje. Duke iu referuar korrespondencës së shkëmbyer mes Kokalarit dhe Kosta Trebickës, biseda e fundit mes tyre është përqendruar tek identiteti i personit, pjesëmarrës në takimin me Efraim Diverolin në Tiranë. Mesa kuptohet nga përgjigjja e Trebickës, ky i fundit e dinte mjaft mirë se cili ishte personi i prezantuar si përfaqësues i Shkëlzen Berishës në këtë takim, por që rezervohej të bënte publik emrin e tij për shkak të telasheve që mund të sillte kjo dëshmi. Megjithatë, Trebicka i ka pohuar Kokalarit në këtë e-mail të datës 3 korrik 2008 se gjithçka dinte për këtë person ia kishte dëshmuar grupit hetimor të Prokurorisë së Përgjithshme, që e kishin marrë në pyetje për çështjen në fjalë. “Personi i paidentifikuar në takim, të cilit Kosta Trebicka i referohej në këtë e-mail ishte Rrahman Selmanllari”,-bën me dije për “Shekullin” Geri Kokalari.

---------------------------------------------------------Kushtet e demontimit në fabrikat shtetërore, shumë të mira. U lanë në hije për favorizimin e “Albademil”

Raporti, Poliçani e Mjekësi u shmangën për Gërdecin

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme verifikon kushtet teknike të demontimit të municioneve në fabrikat e Poliçanit, Mjekësit dhe Gramshit, për llogari të zbardhjes së tragjedisë së Gërdecit. Sipas burimeve zyrtare pranë organit qendror të akuzës mësohet se oficerët e policisë gjyqësore, nën urdhrat e prokurorëve të grupit hetimor kanë përfunduar procesverbalin e këqyrjes së uzinave të demontimit, prej nga kanë arritur në përfundimin se procesi i demontimit në to është më i sigurtë dhe më pak i kushtueshëm. Sipas procesverbalit të administruar në dosje, konfirmohet se fabrika e Poliçanit ishte licencuar prej vitesh nga forcat e NATO-së për demontimin e municioneve, predhave dhe mortajave, në kushtet e sigurisë së lartë si teknike dhe fizike. “Nga këqyrja e ambienteve të uzinës së Poliçanit, është evidentuar se në këtë uzinë plotësoheshin të gjitha parametrat dhe kushtet e kërkuara për demontim. Aty plotësoheshin kushtet e sigurisë fizike, të sigurisë kundër zjarrit, parametrat teknikë të pajisjeve ishin në nivel të lartë si dhe teknologjia e aparaturave të demontimit ishte e nivelit të avancuar”-thuhet në raportin e përpiluar nga hetuesit e çështjes.

***

Sipas këtyre burimeve të rezervuara mësohet se gjatë fazës hetimore ka rezultuar se Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Ministria e Mbrojtjes dhe të gjitha strukturat civile pranë kësaj ministrie kishin dijeni për plotësimin e këtyre kushteve të demontimit nga fabrika e Poliçanit. “Për plotësimin e këtyre standardeve të demontimit të predhave e municioneve, kishte dijeni Ministria e Mbrojtjes me të gjitha strukturat e saj ushtarake dhe civile, si dhe ndërmarrja MEICO-s”,-thuhet në raportin e hetuesve. Sipas tyre, nëse do të kryhej demontimi në këtë fabrikë, kostoja do të ishte shumë më e ulët dhe fitimi më i lartë për shtetin shqiptar se sa demontimi i kryer në punishten e sajuar të Gërdecit nga kompania “Albademil” e Mihal Delijorgjit. Gjithashtu, mësohet se në uzinën e Poliçanit dhe Gramshit, oficerët ushtarakë që kryenin punën e demontuesve për çdo ditë në orën 13 të drekës, të gjithë barutin e nxjerrë nga demontimi e largonin rreth 800 metra larg uzinës, ku në një gropë të veçantë kryenin djegien e asaj sasie, për të evituar çdo grumbullim të sasive të mëdha në afërsi të uzinës që mund të shkaktonte dëme të konsiderueshme në rast shpërthimi.

***

Ndërkaq, kompania shqiptare “Albademil” në ish-punishten e demontimit të sajuar, nga demontimi i municioneve dhe predhave të ndryshme kishte grumbulluar në një vend rreth 700 tonë barut, ku si pasojë e këtij shpërthimi gjetën vdekjen 26 persona dhe mbi.3000 të tjerë u plagosën. Sipas burimeve pranë grupit hetimor, mësohet se edhe uzina e Mjekësit plotësonte të gjitha parametrat e demontimit të predhave. Të dy këto uzina, Mjekës dhe Poliçan brenda ambienteve të fabrikës kishin të ndërtuara dhoma të veçanta me trashësi të betonit dhe pajisje blindash kundër shpërthimit, për të evituar çdo dëmtim jashtë këtyre dhomave të demontimit. Ky raport i administruar tashmë në dosjen e hetimit tregon edhe një tjetër herë se fabrika e Gërdecit nuk kishte si qëllim primar shkatërrimin e municioneve stog, por një fitim të madh dhe të shpejtë për “arkitektët” e fabrikës së vdekjes.

------------------------------Dëshmitari i fishekëve, 2 orë në prokurori

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme ka marrë dje në pyetje Andi Belliun, ish-punëtorin e Gërdecit që kishte dijeni për zhvendosjen e municioneve nga Rinasi, për t’iu fshehur gazetarit të “Neë York Times”. Belliu ka qëndruar rreth dy orë në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ka përsëritur dëshminë e dhënë pak ditë më parë në emisionin “Faktori Plus”. Sipas tij, mbrëmjen e 19 nëntorit, të gjitha municionet që ndodheshin në vendin e demontimit pranë Rinasit janë zhvendosur përgjithë natën në Gërdec, me urdhër të Dritan Minxollit. Ai ka shpjeguar se zhvendosja e municionit brenda natës është bërë me kamionë privatë, ndërsa shkarkimi i tyre është përballuar nga punëtorët e Gërdecit.

TË PANDEHURIT

Gjykata e Lartë, masë për vrasje masive

TIRANË- Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli pritet të përballen të hënën me akuzën e vrasjeve masive. Të hënën, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për vlerësimin e masës së sigurisë, në kushtet kur ndaj tyre është ngritur një akuzë më e rëndë se ajo e shkeljes së kushteve teknike, akuza për vrasje masive. Megjithëse të akuzuarit për tragjedinë e Gërdecit ndodhen aktualisht në burg, prokuroria pritet të kërkojë një masë të dytë arresti, këtë herë për vrasjen e shumë personave. Tre të pandehurit në qeli të kësaj tragjedie të rëndë do të përballen me Gjykatën e Lartë rreth orës 11.00 të së hënës, ku pritet të mbajnë edhe qëndrimin e tyre për akuzën e re të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila parashikon mbi 25 vjet burg për secilin prej tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›