Balla: Pse u ndava nga Nano dhe përse mbështes Edi Ramën
Deputeti i PS-së për kërcënimin e Berishës: “Ai është i papërgjegjshëm, por nuk më tremb”
Shaban Sulçe
Taulant Balla, një prej deputetëve më të rinj të Parlamentit shqiptar, është kthyer kohët e fundit në epiqendër të vëmendjes së opinionit publik. Akuzat publike të Ballës për kontrollim të kazionove të palicencuara në Tiranë nga të afërm të qeverisë dhe djalit të kryeministrit, Berisha i është kundërpërgjigjur me fyerje dhe kërcënime, deri në “mbylljen e gojës”. Gjithsesi, ky reagim nuk e ka stepur Ballën, i cili në intervistën e tij për gazetën “Albania” e ka quajtur kryeministrin të papërgjegjshëm.
Gjithashtu, për herë të parë në intervistën e tij për gazetën “Albania”, Balla ka shpjeguar se përse e ka “braktisur” ish-kryetarin e tij Fatos Nano dhe përse është në mbështetje dhe inkurajim të plotë ndaj kreut aktual të selisë rozë, Edi Rama. Gjithsesi, i pyetur se si i komentonte deklaratat e Koçit se shkaku i dështimit të Lëvizjes për Politikë Institucionale ishte Fatos Nano, Balla tha se Nano “nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e kësaj lëvizjeje”.
Zoti Balla, kohët e fundit jeni kthyer në një zë i fortë i opozitës për çështjet e integrimit dhe politikën e jashtme. A mendoni se shumica dhe qeverisja aktuale do të realizojnë një nga dëshirat më të hershme të shqiptarëve, siç është integrimi në BE?
Kjo qeveri ka dështuar në adresimin e nevojave minimale jetike të shqiptarëve dhe në këtë kontekst, si e tillë, kjo qeverisje nuk jep shpresë dhe optimizëm për aspiratën historike të shqiptarëve, aderimin në Bashkimin Europian. Në 900 ditët e qeverisjes së Sali Berishës shqiptarëve po u kërcënohet buka e përditshme, çmimi i së cilës është nga më të lartët në Europë; u ka munguar uji dhe energjia e pandërprerë në shtëpi; të pastrehëve u është mohuar e drejta për një copë shtëpi. Është thelluar varfëria për shkak të mungesës së politikave për nxitjen e punësimit dhe klimës antibiznes. Shqiptarëve taksapagues po u vidhen paratë në investime infrastrukturore pa projekte dhe pa kosto paraprake. Pra, për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, mendoj se shpreh një konsensus të gjerë popullor se kjo qeveri nuk mund ta integrojë Shqipërinë në standardet e vendeve të BE-së, por përkundrazi, po e pengon një proces të tillë. Kësaj qeverie i mungon vizioni për ta udhëhequr këtë proces historik.
Gjatë javëve të fundit duket se ka një ndryshim të klimës politike, që garanton konsensusin për reformat e mëdha. Komenti juaj...
Dua të theksoj se jemi në pritje të një vendimmarrjeje shumë të rëndësishme lidhur me ftesën për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në Samitin e Bukureshtit në ditët e para të prillit. Sigurisht që kjo ftesë do të varet nga konteksti politik, ekonomik dhe social në vend, progresi i deritanishëm i reformave dhe kontekstet e reja gjeopolitike në rajon, që lidhen me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Unë shpresoj që Shqipëria do të marrë një lajm të mirë nga Bukureshti, më së shumti për shkak të gjeopolitikës rajonale, sesa për shkak të çfarë është bërë brenda kufijve të Shqipërisë. Ky interes madhor kombëtar, që implikon vetëndërgjegjësim të aktorëve politikë në vend, ka kondicionuar sigurisht edhe ndryshimin e klimës politike. Por ky ndryshim ka edhe një arsye tjetër, që lidhet me rolin e ri që ne si Parti Socialiste kemi marrë në të gjithë procesin integrues të vendit. Partia Socialiste ka marrë tashmë një rol drejtues të këtij procesi, duke u shndërruar në lokomotivën e reformave dhe të ndryshimit të vërtetë në Shqipëri. Iniciativat e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, siç ishin Rezoluta për NATO-n apo Pakti për Reformën në Drejtësi, i kanë dhënë Partisë Socialiste një rol të ri në spektrin politik shqiptar, ku ne nuk jemi më në pozicionin pasiv të opozitës tradicionale, “roje të qeverisë”, por një rol drejtues. Partia Socialiste ka marrë tashmë lidershipin e munguar të ndryshimit të Shqipërisë dhe të integrimit të saj në NATO dhe BE.
Në shtator të vitit të kaluar, kur kryetari i PSSH-së, zoti Edi Rama, filloi “Dialog me Shqipërinë”, kishte skepticizëm si një lëvizje e gabuar në një moment jo të përshtatshëm. A mendoni se “Dialog me Shqipërinë” ia ka arritur qëllimit të tij?
“Dialogu me Shqipërinë” është aksioni më i madh politik që një parti politike ka zhvilluar në Shqipëri në 17 vite pluralizëm demokratik. Është një sipërmarrje politike që e ka zhvendosur tashmë interesin dhe objektin e politikës nga zyrat dhe mbledhjet monopol të kryeqytetit, në odat dhe fshatrat e varfra të Shqipërisë. Personalisht ndihem i entuziazmuar që kryetari i partisë sime është ndalur pothuajse në të gjitha qendrat urbane në Shqipëri, ku është takuar me intelektualë, të rinj, pensionistë, të papunë, emigrantë. Ka shkelur në një kohë kaq të shkurtër disa qindra fshatra në të gjithë Shqipërinë dhe ka shtrënguar duart me dhjetëra mijëra fshatarë të varfër, hallexhinj të zhgënjyer nga premtimet pa fund të 17 viteve tranzicion. Ndihem entuziast sepse Partia Socialiste është ulur këmbëkryq me shqiptarët në një proces që ka filluar në shtator të vitit të kaluar dhe që nuk do të ndalet për asnjë moment. Nuk do të ndalet edhe pasi vota e shqiptarëve t’i japë Partisë Socialiste besimin për të qeverisur Shqipërinë. “Dialogu me Shqipërinë” i ka dhënë Partisë Socialistë epërsinë për të kuptuar dhe për të shndërruar në politika hallet e vërteta të shqiptarëve.
Gjatë një prej seancave të fundit parlamentare, ju jeni kthyer në objekt të sulmeve dhe kërcënimeve personale nga ana e kryeministrit Berisha. Si do ta komentonit një gjë të tillë?
Unë besoj se çdo shqiptar është ndjerë i fyer nga retorika banale e një individi të papërgjegjshëm, i cili, për fatin e keq të të gjithë shqiptarëve, është kryeministër. Ky individ, e përsëris i papërgjegjshëm, në mungesë të argumenteve, të logjikës, e gjen rrugëdaljen e vetme tek fyerja apo kërcënimet. Këto janë mekanizmat që e kanë mbajtur këtë apendiks të politikës së vjetër prevalente në politikën shqiptare, duke mbajtur peng zhvillimin e vendit. Ky individ është i pandryshueshëm, është po ai që i vuri zjarrin Shqipërisë në vitin ‘97, në vitin ‘98, që ka fyer, sharë, kërcënuar, dhunuar, burgosur të gjithë kundërshtarët e tij politikë jashtë dhe brenda partisë së tij. Megjithatë, unë nuk kondicionohem në qëndrimet e mia, në adresimin e problemeve dhe në akuzat për korrupsion të lidhur me këtë individ, sepse unë dhe ai kemi një ndryshim shumë të madh. Unë shoh nga e ardhmja, ai i përket së shkuarës.
Ju jeni njohur si një prej njerëzve më të afërt të ish-kryeministrit Nano, ndërkohë, nga ana tjetër, nuk e përkrahët lëvizjen dhe turin e shpallur prej tij kundër politikës së drejtimit të PS-së nga ana e kryetarit aktual të PS-ë Edi Rama. Cila ishte arsyeja?
Unë ruaj të njëjtin respekt dhe mirënjohje për ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e PS-së, zotin Nano, për të gjitha kontributet e tij përgjatë 15 viteve të drejtimit të PSSH-së, nga të cilat më shumë se gjysma në qeverisjen e vendit dhe sigurisht për mbështetjen personale ndaj meje për të më promovuar në përfaqësimin më të lartë politik si deputet i Partisë Socialiste.
Lidhur me lëvizjen unë mendoj se veprimi politik i PS-së në këto momente kuresesi që nuk mund të shpërqendrohet nga axhenda e Dialogut me Shqipërinë. Nuk kemi kohë për të humbur në axhendën e rolit drejtues të Partisë Socialiste në të gjitha këto procese ndryshimesh dhe reformash. Unë i bëj thirrje të gjithë socialistëve të gjejnë vetveten në këtë aksion kaq të rëndësishëm politik të PS-së. Aksion politik që do t’u japë shqiptarëve një qeverisje të përgjegjshme për fatet e shqiptarëve, një qeverisje që do të garantojë anëtarësimin e Shqipërisë brenda mandateve parlamentare 2009-2016.
Cili është komenti juaj ndaj deklaratës së bërë nga deputeti Petro Koçi, i cili ia faturoi z.Nano dështimin e Lëvizjes për një Politikë Institucionale brenda Partisë Socialiste?
Unë u thashë që zhvillimet dhe axhenda e PS-së janë shumë të vrullshme, duhet shumë impenjim nga të gjithë për t'iu përshtatur apo për të konkurruar me intensitetin, energjitë dhe hapat politikë të ndërmarra nga Partia Socialiste. Më lejoni t'ju perifrazoj fjalët e një përfaqësuesi të lartë të Bashkimit Europian, me të cilin pata rastin të takohem gjatë kësaj jave. Sipas tij, "nuk ka asnjë dyshim se tashmë PS-ja është një lojtar i pjekur. Kjo maturi do të imponojë pjekuri në të gjithë spektrin politik dhe sigurisht të kundërshtarëve politikë". Lidhur me deklaratën e zotit Koçi, me sa di unë, zoti Nano nuk ka qenë pjesë e Lëvizjes për Politikë Institucionale.
Si do ta komentonit deklaratën e bërë nga deputeti i përjashtuar i PS-së, Durim Lamaj, i cili tha se “shumë shpejt do të shpallin krijimin e një partie të re”?
Unë mendoj se sipërmarrje të vështira dhe vendime të rëndësishme të llojit krijim i një partie të re politike kanë nevojë për durim, vetëpërmbajtje dhe sigurisht largpamësi lidhur me çfarë synohet të arrihet me këtë veprim. Nuk jam njohur me këtë deklaratë, shpreh bindjen që kjo mund të jetë një ide personale e mikut tim Lamaj.
12 Shkurt 2008