Prokuroria kërkon 12 vite burg për Aishe Pojanën
46-vjeçarja, pasi vrau bashkëshortin, e fshehu atë në oborr. Fëmijët kërkojnë masë më të butë për nënën, se kanë mbetur jetimë
Laureta Rryçi
Tiranë - Kërkesa e fëmijëve të saj për mëshirë duket se është marrë parasysh nga institucioni i akuzës. Si asnjëherë më parë, për veprën penale të “vrasjes me paramendim”, prokurori ka kërkuar dënimin me 12 vite burg. Në Gjykatën e Tiranës dje u zhvillua seanca gjyqësore ndaj Aishe Pojanës, që akuzohet se ka vrarë bashkëshortin e saj, Hasan Pojana. Pas konkluzioneve përfundimtare pritet që në seancën e ardhshme gjykata të shprehet në një vendim përfundimtar. Pojana, gjatë gjithë procesit pati mbështetjen e fëmijëve të saj. Ata dëshmuan se i ati e keqtrajtonte gjithë kohës të ëmën. Fëmijët jetojnë aktualisht në kushte të vështira ekonomike dhe kanë bërë kërkesë në të gjitha institucionet që të japin një masë më të butë për nënën e tyre, duke qenë se kanë mbetur jetimë.
Pretenca
Prokuroria e Tiranës kërkoi nga gjykata dënimin me 12 vjet burg për të pandehurën Aishe Pojana, 46- vjeçaren që akuzohet për vrasjen e bashkëshortit të saj, Hasan Pojana, vitin e kaluar, në fshatin Baldushk të Tiranës. Gjatë seancës së djeshme, prokurori i çështjes lexoi konkluzionet përfundimtare të hetimit, duke kërkuar shpalljen fajtore dhe dënimin me burg të 46-vjeçares Pojana. Në seancën e radhës pritet të dëgjohet mbrojtja dhe më pas trupi gjykues do të shpallë vendimin përfundimtar.
Ngjarja
Aishe Pojana, 46 vjeçe, nënë e pesë fëmijëve, akuzohet për vrasjen me sende të forta të burrit të saj, Hasan Pojana dhe më pas varrosjen e tij pranë shtëpisë së tyre në fshatin Baldushk, më 11 mars të vitit 2007. Hetimet për këtë ngjarje morën shkak nga denoncimi i bërë në polici nga të afërm të viktimës, për humbjen e shtetasit Hasan Pojana. Nga bashkëshortja e tij fillimisht u deklarua se Hasani kishte shkuar emigrant në Greqi dhe që prej asaj kohe nuk kishte marrë kontakte me të. Megjithatë, ky deklarim nuk e ka bindur policinë, e cila intensifikoi hetimet për këtë ngjarje, duke mos e përjashtuar edhe mundësinë e një krimi brenda familjes. Hetimet morën rrjedhë tjetër kur disa metra larg shtëpisë së familjes Pojana, në një godinë e vjetër, u gjet i groposur trupi i pajetë i Hasan Pojanës, bashkëshortit të Aishes. Sipas ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, Hasan Pojana ishte vrarë me sende të forta. Ndërkohë që forcat e policisë, mbi bazën e një urdhër-ndalimi të Prokurorisë së Tiranës, arrestuan shtetasen Aishe Pojana si autore të kësaj vrasjeje. Grupi hetimor, mbi bazën e provave në vendin e ngjarjes ndërtoi skemën e krimit. Sipas ekspertëve të kriminalistikës, Hasan Pojana ishte goditur për vdekje me sende të forta brenda në banesën e tij dhe më pas ishte groposur për të humbur gjurmët e krimit. Gjatë marrjes në pyetje, vetë e pandehura Pojana ka pranuar autorësinë e vrasjes. Gjithashtu ajo ka treguar edhe motivet e vrasjes, duke pohuar se e kishte kryer vrasjen në kushtet e tronditjes psikike. Ajo ka pohuar se bashkëshorti i saj ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj.
12 Shkurt 2008