Meta: “Qeveria të rishikojë ligjin për parapagimin e gjobave”
Komisioni Parlamentar i Integrimit Europian ka diskutuar dje mbi shqetësimet dhe vërejtjet e bëra në Progres-Raportin e Komisionit Europian mbi ecurinë e integrimit të Shqipërisë.
I drejtuar nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta, në këtë komision ka merr pjesë gjithashtu edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Në këtë takim, kryetari i Komisionit Parlamentar i Integrimit Europian, Meta, u shpreh: “Këto shqetësime do të jenë prioritetet kryesore jo vetëm të qeverisë, por edhe të Parlamentit dhe të gjitha institucioneve shqiptare në mënyrë që të kemi një progres më substancial të të gjithë procesit të Stabilizim-Asocimit dhe integrimit europian të vendit në përgjithësi”, - tha ai. Kryetari i Komisionit të Integrimit theksoi se është shumë i rëndësishëm krijimi një klime të favorshme për biznesin vendas dhe atë të huaj në Shqipëri. Duke u ndalur më gjerë në këtë çështje, Meta përmendi një nga shqetësimet kryesore të Progres-Raportit lidhur me Ligjin "Për parapagimin e gjobave", që sipas këtij raporti është një ligj që nuk është në përputhje me praktikën europiane. Ai kërkoi nga qeveria shqiptare që të rishikojë ligjin për parapagimin e gjobave të biznesit. Gjithashtu Meta parashtroi kërkesën e Komisionit për ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, lidhur me një strategji konkrete për luftën ndaj korrupsionit, që sipas tij, edhe në Progres-Raportin është përmendur disa herë ky problem shumë serioz dhe i shpërndarë gjerësisht.
12 Shkurt 2008