Edi Rama: “Kushtet e PS-së për të hyrë në zgjedhjet e 2009-s”
Kreu i PS-së, ultimatum qeverisë për listat dhe kartat e identitetit. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Leskaj, deklaron se do të thërrasë në interpelancë kryeministrin Berisha
Shaban Sulçe
Partia Socialiste i ka vendosur dy kushte të forta maxhorancës në rast se kjo e fundit do të jetë e interesuar të bashkëpunojë për reformën zgjedhore. Pajisja e shqiptarëve me kartat e identitetit dhe lista e zgjedhësve përbëjnë dy nga kërkesat më të domosdoshme të opozitës, e cila, në rast të kundërt, do të tërhiqet nga bashkëpunimi dhe në rastin më ekstrem do të bojkotojë procesin zgjedhor. Përpara kryetarit Rama, rëndësinë e këtyre dy kushteve e ka shprehur edhe kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, e cila tha se PS-ja do t’i kërkojë interpelancë kryeministrit Berisha në lidhje me kartat e identitetit dhe listës së zgjedhësve. “Kryeministri do të thirret gjithashtu në interpelancë për çështjen e pasaportave dhe të regjistrit, për të pasur disa afate konkrete, se kur kjo çështje do të përfundojë meqenëse është një nga çështjet më të rëndësishme përsa i përket reformës zgjedhore”, - tha Leskaj.
Rama
Ndërkohë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një konferencë për shtyp kërkoi nisjen e menjëhershme të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Rama i ftoi të gjitha partitë politike që të marrin pjesë në këtë komision dhe të kontribuojnë për realizimin e reformës zgjedhore. “Unë i ftoj të gjithë kolegët e partive parlamentare të shmangim të gjitha dukuritë negative të vëna re gjatë proceseve zgjedhore të këtyre 17 vjetëve dhe të zgjedhim një sistem elektoral funksional në demokracinë europiane, duke shmangur po ashtu çdo lloj shpikjeje shqiptare në adaptimin e sistemit tonë elektoral”, - tha Rama. Lideri i selisë rozë përsëriti edhe njëherë kushtet e shpallura nga PS-ja, për çështjen e reformës zgjedhore. “Ne nuk do të pranojmë më zgjedhje pa karta identiteti, pa lista që burojnë prej Regjistrit Kombëtar të zgjedhësve, pa një sistem e kod zgjedhor që të mos lejojnë as trafikimin e votës e të deputetëve”, - tha Rama.
Listat e mbyllura
Kryetari i Partisë Socialiste u shpreh se partia që ai drejton nuk paragjykon përzgjedhjen e asnjë sistemi, por ai u shpreh kategorikisht kundër zgjedhjes së listave të hapura në këto sisteme. Sipas Ramës, përdorimi i këtyre listave bie ndesh me parimet e demokracisë. “Ne jemi kundër renditjes së deputetëve pas zgjedhjeve, përmes të ashtuquajturave lista të hapura, të cilat bien ndesh me parimin e barazisë së zgjedhësve e janë një shpikje e mirëfilltë shqiptare në konflikt me parimet e Kopenhagenit”, - u shpreh kryetari i PS-së. Lidhur me sistemet zgjedhore ai deklaroi: “Partia Socialiste nuk paragjykon asnjë sistem zgjedhor dhe nuk vendos kusht për asnjë të tillë, por mbron bindjen e plotë se, cilido qoftë sistemi që do të zgjedhim, ai duhet të jetë një sistem elektoral funksional në një demokraci europiane, një sistem që garanton përfaqësim dinjitoz të shqiptareve e shqiptarëve në Kuvendin e Shqipërisë, një sistem që garanton krijimin e qeverisë mbi bazën e një programi e të një shumice të shprehur nga vetë populli, një sistem që garanton stabilitetin legjislaturës duke i dhënë fund trafikut të deputetëve”, - deklaroi dje kryetari i PS-së Edi Rama.
12 Shkurt 2008