Berisha: “Kemi vullnet për reformën elektorale”
Kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së djeshme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, komentoi punën mbi reformën zgjedhore. Berisha shfaqi hapur vullnetin për të bashkëpunuar me opozitën duke bërë të ditur se tashmë kanë filluar të diskutohen edhe opsionet e mundshme të reformës mbi sistemin që do të përdoret në zgjedhje. Gjatë fjalës së tij Berisha përshëndeti punën e bërë nga deputetët në Komisionin e Ligjeve në procesin e reformave, si dhe bashkëpunimin me opozitën për reformimin e njërit prej sistemeve më kryesore të vendit, atë Gjyqësor. “Në këtë kontekst unë dua të shpreh vullnetin e palëkundur të shumicës që t’i procedojë në të gjitha aspektet e tjera këto reforma, në interesin më të mirë të vendit, të demokracisë dhe konsolidimit të saj, të konsolidimit të kësaj klime, e cila është jetike për sistemin e demokracisë”, - tha Berisha. Kryeministri nuk bëri të ditur më shumë në lidhje me opsionin më të mundshëm që mund të miratohet, por u përqendrua në vullnetin e përbashkët. Bashkëkryetarët e komisionit, Rusmali dhe Islami, kanë bërë të ditur se po nisin diskutimet mbi disa opsione të mundshme për sistemin elektoral dhe paraprakisht duket se sistemi do të jetë proporcional. Gjithsesi, ky sistem ka shumë nënndarje të tjera që mund të ndiqen, por që mesa duket do të jenë pjesë e diskutimeve. Berisha u shpreh gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së se në këtë aspekt ka përqasje të pranueshme nga të dyja palët. “Zoti Rusmali, së bashku me zotin Islami kanë vazhduar komunikimin dhe kanë elaboruar opsione dhe mundësi me të cilat rezulton se është plotësisht e mundshme që ajo frymë që karakterizoi diskutimin e ligjit për Drejtësinë, ajo frymë të karakterizojë diskutimin për reformën zgjedhore, si dhe për reformat e tjera”, - u shpreh kryeministri. Sipas tij, reformat janë themeli i një sistemi demokratik, por që mbetet ende punë intensive për të bërë në javët në vijim, për të konkretizuar rezultatet në reformën zgjedhore. Lideri i maxhorancës vlerësoi mbi të gjitha frymën e bashkëpunimit që vlerësohet si garanci për konsolidimin e vlerave demokratike, që do t’i japë demokracisë së vendit dimensione të tjera.
12 Shkurt 2008