E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: SHBA kërkon zgjidhje përmes dialogut

Partia Socialiste duke përshëndetur deklaratën e Zv/Ndihmës Sekretarit amerikan te Shtetit për Evropën Tomas Kantrimen për krizën politike në vend ka theksuar se edhe njëherë SHBA-ja ka kërkuar që kriza politike në Shqiperi të zgjidhet përmes dialogut nga vetë klasa politike shqiptare.
“Dëshiroj të përshëndes në emër të Partisë Socialiste, deklaratën e djeshme të Zv/Ndihmës Sekretarit amerikan te Shtetit për Evropën Tomas Kantrimen, i cili me të drejtë zoti Kantrimen kërkon që kriza politike në Shqiperi të zgjidhet përmes dialogut nga vetë klasa politike shqiptare dhe është pikërisht kjo cfarë Partia Socialiste është përpjekur të bëjë, përgjatë plot një viti e gjysëm betejë për të siguruar të drejtën e votës dhe transparencën e procesit zgjedhor të 28 qershorit” theksoi Balla.
Ai gjithashtu theksoi se PS-ja ka ofruar zgjidhje pas zgjidhjesh, kompromise pas kompromisesh, të cilat sipas tij kanë rënë ne veshin e shurdhët dhe sytë e verbër të një pushteti, i cili duke refuzuar e mbajtur peng me çdo mënyrë transparencën dhe hetimin parlamentar ka dhënë provën më të qartë të një manipulimi të madh të procesit të fundit zgjedhor.
“Kompromisit të fundit të bërë nga opozita shqiptare për zgjidhjen e krizës përmes nje hetimi parlamentar, identik me atë të kerkuar nga Parlamenti Europian ne Rezoluten e datës 8 korrik 2010. Sali Berisha iu përgjigj me të vetmen mënyrë që ai njeh, gënjeshtrën dhe trillimin. Në fillim tha se fletët e votimit nuk do ti digjte, por fletet e votimit u dogjën. Tha se ishte i gatshëm të votonte komisionin hetimor me shumicë të opozites, por komisioni nuk u ngrit kurrë. Tha se listat zgjedhore do ti viheshin ne dispozicion hetimit parlamentar e ndërkohë po tenton t`i burgosë listat për 25 vjet, duke i klasifikuar si dokument sekret” shtoi më tej Balla.
Sipas tij tashmë Sali Berisha e mbushi kupën dhe Partia Socialiste do të bëjë gjithçka për të larguar këtë pushtet të vjedhur, duke forcuar aksionin e saj opozitar, për të mos lejuar që një pushtet që vetë provoi se është një pushtet i vjedhur, të mos vazhdojë të vjedhë shqiptarët, njësoj siç po bën sot duke u shndërruar në modelin e korrupsionit dhe abuzimit.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›