Balla: Shqiptarë, lëvizje të lirë në 2010-ën po fitoi PS-ja
Nëse fiton Partia Socialiste në zgjedhjet e 2009-ës, shqiptarët, jo më larg se një vit pas fitores, do të lëvizin lirisht në vendet e BE-së. Ky premtim i madh është bërë dje nga deputeti i PS-së, Taulant Balla. Gjatë një konference për shtyp, deputeti socialist ka theksuar se "shpreh me plot bindje se me rotacionin politik dhe me ardhjen e PS-së në pushtet, shqiptarët do të fitojnë lëvizje të lirë në zonën Shengen, brenda vitit 2010". Deputeti i PS-së nuk i ka kursyer kritikat ndaj qeverisë së djathtë në lidhje me këtë pikë, duke theksuar se qeveria e Kryeministrit Berisha nuk ka përmbushur asnjë detyrë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, dy vjet më parë. Sipas tij, ende nuk është bërë asgjë në lidhje me sigurinë e dokumenteve të udhëtimit dhe se treguesit në luftën ndaj trafikut të qenieve njerëzore dhe korrupsionit sipas deputetit socialist janë në rënie. PS-ja propozon ngritjen e një komiteti ndërministror për vizat, si dhe hartimin e një plani kombëtar për të gjithë sektorët që lidhen me vizat.