Balla: Shqiptarët pa viza, Ministria e Jashtme përgjegjëse
Partia kryesore e opozitës bën fajtore Ministrinë e Jashtme për nivelin e lartë të refuzimit të vizave për shtetasit shqiptarë. Duke iu referuar raportit të publikuar nga Lëvizja Evropiane në Shqipëri rreth nivelit të zbatimit të Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave mes Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian, deputeti socialist Taulant Balla shprehu shqetësimin e tij. "Kjo marrëveshje ka një implementim dhe respektim të dobët, për shkak se procedurat vazhdojnë të jenë të komplikuara dhe të pa harmonizuara ndërmjet konsullatave të ndryshme të vendeve ‘Shengen‘ në Tiranë", u shpreh ai. Në vlerësimin e Ballës, mënyra dhe kohëzgjatja e lënies së një takimi për intervistë, oraret e ndryshme të aplikimit, konvertimi i ndryshëm i tarifës së vizës prej 35 eurosh që sanksionon marrëveshja, ndërkohë që kostoja reale e aplikimit për vizë të një qytetari shqiptar shkon në rreth 9000 lekë, apo marrja e vendimit për dhënien ose jo të vizës vazhdojnë të mbeten problematika të paharmonizuara ndërmjet konsullatave ‘Shengen‘. "Në krahasim me të gjitha vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, shqiptarët mbeten më të refuzuarit në dyert e ambasadave", insistoi Balla. Ai shtoi se shkalla e refuzimit të vizave për qytetarët shqiptarë vazhdon të mbetet rreth 26%, ndërkohë që mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është rreth 14%. Sipas deputetit socialist është e pakuptueshme, por edhe papërgjegjshmëri që Ministria e Jashtme, institucioni përgjegjës shqiptar për monitorimin e respektimit të Marrëveshjes për Liberalizimin e Vizave nuk ka ngritur asnjë strukturë të posaçme për informimin e qytetarëve në lidhje me këtë marrëveshje.