E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Tirana harroi përkujtimoren për viktimat çame"

Shoqata patriotike "Çamëria" reagon pas vendimit mes Shqipërisë dhe Greqisë për ngritjen e varrezave të ushtarëve grekë në vendin tonë. Kreu i kësaj shoqate, Ardian Tana, kërkoi dje sqarime nga Ministria e Jashtme, për faktin pse nuk është ngulmuar nga pala shqiptare, ngritja e një obelisku në Paramithi, në kujtim të masakrës së qershorit të vitit 1944, dhe ndërtimi i një varreze përkujtimore pranë urës së lumit Kalama, në tokën helene në përkujtim të të vrarëve gjatë gjenocidit grek ndaj popullsisë çame. "Jemi të habitur për faktin se nuk u komunikua asgjë në lidhje me kërkesën që Shoqata Patriotike "Çamëria", mbështetur nga Instituti i Studimeve për Çamërinë dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim, i dërguam Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë vetëm pak javë më parë", thuhet në komunikatën për shtyp të kryetarit të Shoqatës Patriotike "Çamëria", Ardian Tana. Kjo shoqatë kërkon nga diplomacia shqiptare që në bisedimet e ardhshme me palën greke, të përfshijnë me patjetër kërkesën për ndërtimin e një varreze në Greqi në kujtim të gjenocidit që qeveria greke shkaktoi. "Ne besojmë në drejtësinë e kërkesës sonë, sepse respekti për të rënët nuk duhet të jetë i ndryshëm, pavarësisht kombësive të ndryshme të të rënëve", u shpreh Tana.

Lidhur me vendimin më të fundit të Ministrisë së Jashtme për akordimin e arritur me qeverinë greke në lidhje me ndërtimin në territorin shqiptar të dy varrezave të tjera për ushtarët grekë të rënë gjatë luftës italo-greke, shoqata "Çamëria" në komunikatën për shtyp, thekson se e mirëkupton kërkesën për respektimin e të rënëve grekë. Por, nga ana tjetër, popullsia çame në Shqipëri i sjell në vëmendje diplomacisë shqiptare që në marrëdhëniet dypalëshe të kërkojë respektimin e parimit të reciprocitetit.

Shoqata Patriotike "Çamëria" gjithashtu vlerëson konsekuencën e shfaqur nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, në deklarimet e tij të fundit për ekzistencën e çështjes "Çame" gjatë vizitës në Shkup. "Mbështetur në këtë vullnet kërkojmë dhe besojmë se qeveria shqiptare në të ardhmen do të jetë më aktive në përpjekjet për zgjidhjen e kësaj çështjeje, e cila nuk është një çështje vetëm teknike dhe ligjore, por mbi të gjitha është çështje e të drejtave të njeriut, çështje politike dhe historike", u shpreh Tana. Shoqata "Çamëria" kërkon trajtimin shumëpalësh dhe angazhim të plotë të të gjitha strukturave shtetërore shqiptare, duke kërkuar të njëjtën gjë edhe nga strukturat shtetërore greke. "Miqësitë ndërtohen mbi bazën e respektit reciprok, ndaj qeveria shqiptare duhet në këtë rast të kërkojë me këmbëngulje respektin e parimit të reciprocitetit në marrëdhënie me qeverinë greke", thuhet në komunikatën e shoqatës "Çamëria".

Kërkesat e çamëve

Dy kërkesat e PDI-së, të pasuara edhe nga shoqata "Çamëria" lidhen ngushtë me ndërtimin e një varreze përkujtimore pranë urës së lumit Kalama në Greqi, aty ku ndodhi edhe gjenocidi çamë me personat që nuk mundën dot të kapërcenin kufirin e vdekjes. Ndërkohë që qeveria greke ka marrë OK nga pala shqiptare për ndërtimin e dy varrezave greke në Shqipëri, qeveria shqiptare ende nuk ka marrë një aprovim për ndërtimin e një varreze të vetme në tokën helene për të nderuar dhe kujtuar të vrarët e gjenocidit çamë. Një nga pikat e tjera të kërkesës së çamëve ishte edhe çështja e pronave, e cila përsëri nuk u ngrit dhe mori në këmbim vetëm heshtjen si nga qeveria greke, ashtu edhe nga ajo shqiptare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›