E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngërçi i reformës në drejtësi nuk cenon kufizimin e imunitetit

Paralajmërimet e kreut socialist se nuk do t‘i japë konsensus mazhorancës për reformën në drejtësi nuk do të prekin çështjen e kufizimit të imunitetit. Burimet nga partia më e madhe e opozitës sqaruan dje se ky debat është i një natyre tjetër. Konstatohet se negociatat me përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe forcave të tjera për këtë ndërhyrje në Kushtetutë do të vazhdojnë. Nuk përjashtohet mundësia që brenda kësaj jave të rikthehet tryeza e dialogut. Diçka e mbetur në plan të dytë nga konsensusi i madh mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për ligjin e ri elektoral. Së fundi, diskutimet për çështjen e imunitetit mbeten në një tryezë të organizuar me konstitucionalistë të njohur në vend. Ata njëzëri kundërshtuan kufizimin e imunitetit për kategorinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas tyre, institucionet në Shqipëri janë ende të brishta dhe ndërmarrja e një mase të tillë do të kishte pasoja. Konstitucionalistët sakaq, nuk e kritikuan heqjen e imunitetit sa i takon ligjvënësve të Kuvendit. Partia Socialiste, pjesë e këtij diskutimi, deri më tani ka rënë dakord që të pranojë kufizimin e imunitetit për deputetët, por jo për gjyqtarët dhe prokurorët. Edhe në rastin e deputetëve, socialistët mbështesin idenë e një mbrojtjeje për rastet e arrestimit dhe përgjimeve apo kontrolleve fizike. Ata janë të gatshëm të pranojnë sanksionimin e një mase që detyron çdo deputet t‘i nënshtrohet rregullave të çdo qytetari të thjeshtë kur ndaj tij fillon një hetim ose kur thërritet si dëshmitar. Shumica në pushtet, deri më sot, ka mbështetur idenë e heqjes së kësaj mbrojtjeje për të gjitha kategoritë e institucioneve të larta shtetërore, përfshirë prokurorët e gjyqtarët. Lideri i socialistëve, Edi Rama, në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare konstatoi se një aspekt tjetër i reformave madhore ka të bëjë me drejtësinë. "Sot, tha ai, pas një procesi jo të shkurtër përpjekjesh, jo të vogla dhe vullneti të palëkundur për të kontribuar edhe në këtë aspekt njësoj, si në aspektin e reformës zgjedhore, nuk kemi asnjë besim dhe nuk shohim asnjë mundësi që një reformë e tillë të realizohet me Sali Berishën". "Kur është fjala për reformën zgjedhore, për Kodin Zgjedhor, për infrastrukturën zgjedhore, kjo gjë ishte e mundur, duhet ta kuptojmë të gjithë se ishte e mundur për shkak të një interesi reciprok që ka të bëjë me rregullat e një beteje ku ne jemi kundërshtarë të papajtueshëm", theksoi Rama. Në rastin e reformës në drejtësi, vijoi ai, këtu nuk ka interes reciprok për shkak se ne jemi të interesuar t‘i japim Shqipërisë dhe shqiptarëve një reformë, e cila të garantojë më shumë pavarësi dhe më shumë efektshmëri të sistemit gjyqësor. "Ndërkohë që Sali Berisha është i interesuar kundër pavarësisë, kundër efektshmërisë së një sistemi gjyqësor, me të cilin Kryeministri i Shqipërisë e klani i tij, qeveria e tij kanë një konflikt të hapur interesi", insistoi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›