Berisha-Gjukanoviç: Kundër tentativave për ndarjen e Kosovës
Kryeministri Sali Berisha dhe homologu i tij i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, kanë kundërshtuar dje tentativat për ndarjen e Kosovës. Shqipëria dhe Mali i Zi janë shprehur zyrtarisht se skema që parashikon ndarjen e Kosovës do të sjellë destabilitet në rajonin e Ballkanit. Shefi i qeverisë shqiptare thotë se Këshilli i Sigurimit duhet të gjejë një rrugë të mesme mes planit 6-pikësh të Ban Ki Munit dhe planit 4-pikësh të qeverisë së Kosovës. Në takimin që dy krerët e qeverisë shqiptare dhe asaj malazeze u ra dakord për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik dhe politik, që do të jetë në shërbim të bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë. Në bisedimet e tyre, dy delegacionet u ndalën në mënyrë të veçantë në zhvillimin e projekteve konkrete që zgjerojnë bashkëpunimin mes dy vendeve, si në fushën e infrastrukturës, në projektin e ndërtimit të autostradës Adriatiko-Joniane, në shqyrtimin e vendosjes së lidhjeve detare Durrës-Tivar dhe në vendosjen e linjës ajrore Tiranë-Podgoricë. Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për t‘i krijuar qeverisë malazeze të gjitha lehtësitë e nevojshme për autostradën Podgoricë-Plavë, e cila, në disa kilometra të saj, kalon përmes territorit shqiptar.