E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta-Kryemadhi marrin 50 mijë euro nga "La Repubblica"

Gjykata e Romës rrëzon akuzat e gazetës "La Repubblica" ndaj ish-kryeministrit Ilir Meta dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. LSI, përmes një njoftimi për shtyp, ku iu referohet avokatëve të çështjes sqaron se me datë 29 nëntor 2002 gazeta "La Repubblica" - në numrin e brendshëm të së premtes - publikon një artikull me titull "L‘Eroina? Da Tirana viaggia in auto blu". "Bëhej fjalë për një artikull me informacion të gabuar kundër ish-kryeministrit Ilir Meta dhe gruas se tij, Monika Kryemadhi. Me saktësisht artikulli përshkruan se gjoja shoferët e të dy personazheve politik në fjalë ishin kapur nga policia italiane në Milano dhe ajo shqiptare në Kukës, me rreth 20 kg drogë secili. Me anë shpifjesh dhe me një trillim gazetaresk, hidheshin dyshime mbi marrëdhëniet e politikanëve të cituar me ambientet e trafikimit të drogës", thotë zyra e shtypit të LSI-së. Në dhjetor 2002, çifti Meta dhe Kryemadhi ngrenë padi para prokurorisë së Romës. Të mbrojtur nga një nga studiot e avokatisë të Italisë dhe nga avokatja shqiptare Ilenja Mehilli, të dy të dëmtuarit në fjalë provonin se të gjitha informacionet e dhëna ishin një shpifje. Gjykata e Romës e vlerësoi këtë si dëm të madh i shkaktuar nga ky artikull dhe vendosi që të dëmshpërblejë me 30000 euro ish-kryeministrin Ilir Meta dhe 20000 euro për bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhin. Gjykata gjithashtu dënoi: me gjobë 8000 euro Luca Frojolin dhe Attilio Giordanon. Dënoi gjithashtu me gjobë 6000 euro drejtorin e gazetës, Ezio Mauro. Sipas njoftimit të LSI-së, përveç kësaj, gazeta "La Repubblica" detyrohet të publikojë vendimin e gjykatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›