E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas votimit të Kodit Zgjedhor, Meta udhëton drejt Brukselit

Dy ditë para protestës në sheshin "Skënderbej", kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u nis dje drejt Brukselit. I shoqëruar nga kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar, Edmond Haxhinasto, ai pritet të zhvillojë takime në kuadër të ndërgjegjësimit ndërkombëtar për rrezikun e manipulimit të zgjedhjeve të ardhshme. Zyrtarisht nuk është bërë e ditur axhenda e kreut të LSI-së dhe personalitetet me të cilat pritet të takohet. Gjithsesi, objektivi kryesor është garantimi i një mbështetjeje maksimale sa i takon kundërshtimit të ligjit të ri zgjedhor dhe mënyrës se si do të administrohet procesi i votimit. Nuk përjashtohet mundësia që Meta të zhvillojë takime edhe në kuadër të negociatave që do të bëjë për afrimin e kompanive monitoruese të zgjedhjeve të ardhshme. Burimet partiake sqaruan se ish-kryeministri do të kthehet në Tiranë, mëngjesin e së enjtes, kur pritet të zhvillohet edhe protesta popullore e paralajmëruar. Po dje, kreu i LSI-së takoi ambasadorin e Mbretërisë së Holandës, Henk G. C. Van den Dool. Në këtë takim, Meta dhe ambasadori Van den Dool shkëmbyen mendime mbi zhvillimet aktuale politike në Shqipëri, rajon dhe më gjerë. Kreu i LSI-së e njohu ambasadorin holandez me ndryshimet e bëra në Kushtetutë dhe i shprehu shqetësimin e tij mbi cenimin e ekuilibrave në mes të pushteteve, mbi fuqizimin e rolit të Kryeministrit dhe tkurrjen e kompetencave të Presidentit të Republikës, të cilat janë të papranueshme në funksionimin demokratik të një republike parlamentare, sikurse Shqipëria është përcaktuar me Referendumin Kushtetues të vitit 1998. Meta i shprehu po ashtu ambasadorit holandez shqetësimet e LSI-së, por edhe të partive të tjera, si dhe faktorëve të ndryshëm politikë dhe aktorëve të rëndësishëm të shoqërisë civile, mbi shkeljen e procedurave kushtetuese dhe parlamentare në momentin e miratimit të Kodit të ri Zgjedhor. Veçanërisht kontestimin mbi atë pjesë të Kodit, e cila ka të bëjë me administrimin e zgjedhjeve, që ka anashkaluar principet dhe standardet demokratike të kërkuara me forcë nga OSBE-ODIHR dhe shumë aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë mbi gjithëpërfshirjen, garantimin e barazisë të çdo subjekti politik dhe konsensusin në këtë proces. Ndër të tjera, ai e njohu diplomatin edhe me hapat që do të ndjekë në vazhdim LSI-ja për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, nëpërmjet sensibilizimit gjithnjë dhe më të madh të opinionit publik vendas dhe faktorëve me peshë politike ndërkombëtare. Pas kësaj do të vendosen masat që ndëmerren dhe kontributi që do të japë, si një faktor garantues për parandalimin dhe paralizimin e skenarëve manipulues për të siguruar paprekshmërinë e votës dhe përmbushjen e standardit themelor për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Siç është paralajmëruar, funksionarët e disa partive politike do të mbajnë një protestë në mbrojtje të lirisë së votës. Drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, PS91, Partisë Demokristiane dhe aktivistë të Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, do të ftohen të shprehin indinjatën e tyre në raport me Kodin e ri Zgjedhor. Është njoftuar se këtë aktivitet që do të mbahet në orët e pasdites së të enjtes në sheshin "Skënderbej" do ta ndjekin edhe media të huaja, krahas atyre vendase.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›