Balla: “Shqiptarët pa viza, faji i Ministrisë së Jashtme”
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka akuzuar Ministrinë e Jashtme si shkaktare të vështirësive që hasin shqiptarët për t’u pajisur me viza. Duke komentuar raportin e Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), Balla tha se shqiptarët janë qartësisht më të privuarit në raport me qytetarët e vendeve të Ballkanit.
Ai fajësoi Ministrinë e Jashtme për mospërmbushje të detyrimeve që burojnë nga Marrëveshja e Asociim-Stabilizimit. “Sipas detyrimeve që burojnë nga marrëveshja, Ministria e Punëve të Jashtme duhet të kishte ngritur që më datën 1 janar 2008 një strukturë të posaçme për të verifikuar pretendimet e aplikantëve në rastet e refuzimit të vizave. Nuk ka akorduar burime të nevojshme njerëzore dhe financiare që merren drejtpërsëdrejti me problemet e aplikantëve për viza dhe të ofrojë më tepër mundësi informacioni për të gjithë kategoritë e personave.
Nuk ka ndërmarrë asnjë fushatë sensibilizuese dhe as të parashikojë në buxhetin e saj vjetor një zë të posaçëm në lidhje me informimin e qytetarëve. Qeveria shqiptare duhet të veprojë me shpejtësi për përfundimin e procesit të krijimit të regjistrit të dixhitalizuar të gjendjes civile, të pajisjes me karta identiteti dhe pasaporta me të dhëna biometrike të qytetarëve shqiptarë”, tha deputeti i PS-së Taulant Balla.
26 Nentor 2008