E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Vitin e ardhshëm do të aplikojmë për statusin e kandidatit në BE”



Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje se qeveria shqiptare do të aplikojë vitin e ardhshëm për të marrë statusin vendit kandidat për integrimin në Bashkimin Europian. Këtë deklaratë Berisha e bëri gjatë takimit me kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. “Progres-raporti i Brukselit i la dyert plotësisht të hapura për paraqitjen në kohën e duhur të kërkesës për statusin e kandidatit. Kjo nuk do të jetë vetëm në dorën e qeverisë shqiptare, pasi ka një kompleksitet faktorësh. Këtë 6-mujor Kryesinë e BE-së e kishte Franca, por presidenti dhe qeveria franceze kanë pasur një 6-mujor me problematikën europiane dhe botërore më të rëndësishme. Në rast se kjo çështje nuk u bë e ndjeshme gjatë 6-mujorit të Presidencës Franceze, natyrisht që do ta konsiderojmë shumë seriozisht vitin e ardhshëm”,- tha kryeministri Berisha. Më tej Berisha iu referua takimit me homologun e tij të Malit të Zi duke bërë të ditur se progresi i dy vendeve drejt Bashkimit Europian është në interesin më të mirë të rajonit. Gjatë takimit, të dyja palët ranë dakord për të intensifikuar përpjekjet për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, që, siç u konstatua, po njeh ritme më të mëdha pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë. Ato ndanë të njëjtin vlerësim se hapja e kufijve do të krijonte një treg mjaftueshmërisht të gjerë për investimet. Në bisedimet e tyre, dy delegacionet u ndalën në mënyrë të veçantë në zhvillimin e projekteve konkrete që zgjerojnë bashkëpunimin mes dy vendeve, si në fushën e infrastrukturës projekti i ndërtimit të autostradës Adriatiko-Joniane, shqyrtimi i vendosjes së lidhjeve detare Durrës-Tivar dhe vendosja e linjës ajrore Tiranë-Podgoricë. Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për t’i krijuar qeverisë malazeze të gjitha lehtësitë e nevojshme për autostradën Podgoricë-Plavë, e cila, në disa kilometra të saj, kalon përmes territorit shqiptar.

Topi pret në takim kryeministrin e Malit të Zi, Gjukanoviç

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në një takim kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.
Duke shprehur kënaqësinë e veçantë për takimin me kryeministrin Gjukanoviç, presidenti Topi vlerësoi nivelin aktual shumë të mirë të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Kreu i shtetit shqiptar, pasi nënvizoi vendosmërinë e angazhimin e vendit tonë për zhvillimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit që ekzistojnë dhe zhvillohen me vendin mik, Malin e Zi, shprehu angazhimin e Shqipërisë për konsolidimin e Malit të Zi në rrugën e forcimit të demokracisë dhe të zhvillimit të vendit, si dhe për integrimin europian dhe euroatlantik të vendit, si aspirata të përbashkëta të dy vendeve tona mike. Pasi nënvizuan rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, presidenti Topi dhe kryeministri malazez nënvizuan interesin për thellimin e këtyre marrëdhënieve, ku përparësi merr krijimi i një sistemi energjetik rajonal, fuqizimi i sistemit të komunikacionit dhe telekomunikacionit, lehtësimi i qarkullimit të mallrave e njerëzve, lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Presidenti Topi vlerësoi lart rolin e presidentit të Malit të Zi si dhe qëndrimin dhe vendimin e qeverisë malazeze për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke shprehur besimin se pavarësia e saj i kontribuon krijimit të një klime qëndrueshmërie afatgjatë në rajonin ballkanik. Gjukanoviç shprehu bindjen se bashkëpunimi rajonal, dialogu politik dhe rritja e shkëmbimeve tregtare ekonomike do të përmbushin aspiratat integruese të popujve tanë për të qenë anëtarë me të drejta të plota si të BE-së, ashtu dhe të NATO-s.

26 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›