Kodi Zgjedhor, Meta takohet me ambasadorin hollandez
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, priti dje në selinë e LSI-së ambasadorin e Mbretërisë së Hollandës, z. Henk G. C. Van den Dool. Në këtë takim, Meta dhe ambasadori Van den Dool shkëmbyen mendime mbi zhvillimet aktuale politike në Shqipëri, rajon dhe më gjerë. Kreu i LSI-së, Meta, e njohu ambasadorin holandez me ndryshimet e bëra në Kushtetutë dhe i shprehu shqetësimin e tij mbi cenimin e ekuilibrave në mes të pushteteve, mbifuqizimin e rolit të kryeministrit dhe tkurrjen e kompetencave të Presidentit të Republikës, të cilat janë të papranueshme në funksionimin demokratik të një republike parlamentare, sikurse Shqipëria, që është përcaktuar me Referendumin Kushtetues të vitit ’98. Meta i shprehu ambasadorit holandez shqetësimet e LSI-së, por edhe të mjaft partive të tjera, si dhe faktorëve të ndryshëm politikë dhe aktorëve të rëndësishëm të shoqërisë civile, mbi shkeljen e procedurave kushtetuese dhe parlamentare në momentin e miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, veçanërisht kontestimin mbi atë pjesë të Kodit, e cila ka të bëjë me administrimin e zgjedhjeve, që ka anashkaluar principet dhe standardet demokratike të kërkuara me forcë nga OSBE-ODIHR-i dhe shumë aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë mbi gjithëpërfshirjen, garantimin e barazisë të çdo subjekti politik dhe konsensusin në këtë proces. Meta e njohu diplomatin e lartë holandez me hapat që do të ndjekë në vazhdim LSI-ja për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, nëpërmjet sensibilizimit gjithnjë e më të madh të opinionit publik vendas dhe faktorëve me peshë politikë ndërkombëtarë, për masat që ajo do të marrë dhe kontributin që do të japë si një faktor garantues për parandalimin dhe paralizimin e skenareve manipulues për të siguruar paprekshmërinë e votës dhe përmbushjen e standardit themelor për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
26 Nentor 2008