Toro: Mazhoranca, dakord për rrëzimin e ligjit 7501
Politika shqiptare është detyruar të bëjë një pakt me ish-pronarët për të rrëzuar ligjin 7501 dhe të zgjidhë çështjen e pronave, e cila ka mbetur një ngërç i madh që mban peng zhvillimin e vendit dhe investimet e huaja.
Sekretari i përgjithshëm i shoqatës "Pronësi me Drejtësi", në një intervistë për "Shqip" pak kohë pas takimit me nënkryetarin e Kuvendit, Fatos Beja, ka shprehur për të parën herë një frymë optimizmi drejt zgjidhjes së çështjes së pronave. Mazhoranca e djathtë, konkretisht Partia Demokratike, duket se ka dhënë miratimin e saj për rrëzimin e ligjit aq shumë të kundërshtuar nga ish-pronarët. Gjithçka duket se ka ardhur nga pozicionimi i fortë i Presidentit të Republikës, Bamir Topi, vetëm disa ditë më parë, i cili deklaroi se ligji 7501 ka lejuar mjaft abuzimin. Toro pas takimit me nënkryetarin e Kuvendit Fatos Beja, shpreh shqetësimin e tij për abuzimet që po bëhen me kthimin dhe kompensimin e pronave. Ai shprehet kundër ligjit 7501, duke theksuar se po bëhen pronarë ata që s‘kanë pasur kurrë prona dhe po humbasin pronat pronarët e vërtetë. Sipas Toros, ligji duhet të parashikojë qartë, kush do të bëhet pronar duhet ta blejë atë me çmimin e tregut. Gjithashtu ai hedh poshtë deklarimet e bëra deri më tani nga qeveria se do të dëmshpërblehen pronarët me çmimin e tregut. Kjo nuk mund të ndodhë, pasi nuk mund të shesësh lirë dhe të blesh shtrenjtë, shprehet Toro.
Z.Toro, keni zhvilluar dje një takim me nënkryetarin e Kuvendit Fatos Beja. A mund të na thoni se çfarë u diskutua në atë takim?
Takimi u zhvillua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Pronës, që është sot, më 10 dhjetor. Mund të them se takimi ishte mjaft i frytshëm. Gjatë bisedës u theksua se problemi i kthimit dhe kompensimit të pronave nuk duhet të shihet si një marrëdhënie financiare. Në momentin që kjo trajtohet si një marrëdhënie financiare, atëherë kemi të bëjmë me një mashtrim të dyanshëm. Qeveria mashtron pronarët dhe nga ana tjetër, pronarët pranojnë një lojë që nuk është e ndershme. Në kushtet që janë krijuar aktualisht nuk mund të flitet për një faturë financiare, nëse do të diskutohet gjithçka te fatura financiare, e cila deri më tani ka qenë baza e gjithçkaje, dhe kam frikë se marrëdhëniet do të jenë të gabuara. Duhet të kthehemi pak prapa në kohë, e pakta pesë ditë më parë, problemi i Kasharit është një problem i cili ka ndodhur dhe ndodh realisht në gjithë komunat e republikës, në gjithë pushtetin vendor. Kjo ka qenë e thjeshtë fare, sepse në bazë të këtij sistemi, marrëdhëniet janë cenuar. Nuk është e drejtë që dikujt t‘i jepet një copë tokë falas, ose një pasuri falas, e cila në momentin që ndërron marrëdhëniet e pronarit, nga e shtetit në pronë private të dikujt, fiton një vlerë të jashtëzakonshme. Shteti nuk mund t‘i japë pa parë fare pronësinë, qoftë kjo edhe me ligjin 7501 dikujt që nuk ka qenë kurrë pronar, sepse të nesërmen ai e shet këtë pronë me një vlerë shumë të lirë, sepse nuk ka vlerë për të, ai nuk ka qenë kurrë pronar, thjesht shfrytëzon një mall që s‘ka qenë kurrë i tij, përfiton. Ky është një mentalitet i gabuar dhe Kashari e nxori këtë mentalitet të qelbur, sepse e gjithë filozofia e saj, që është trashëguar nga zbatimi i ligjit 7501, është e gabuar. Ajo që u zbulua nga skandali i Kasharit është se ata që s‘kanë qenë pronar u bënë me prona dhe ata që kishin nuk kanë më prona.
Sa gjetën mbështetje shqetësimet tuaja te nënkryetari i Kuvendit Beja dhe cili ishte qëndrimi i tij?
Unë besoj se thelbi i kësaj filozofie ka gjetur një mirëkuptim të përbashkët. Nënkryetari i Kuvendit, Fatos Beja, tregoi një dashamirësi të madhe për të realizuar këtë takim. Ky është një shqetësim që nuk mund ta fsheh, se dhe qeverisja e sotme e ka, pasi ky është realiteti. Është një shqetësim që pjesa e politikës shqiptare e ka, këtu bën pjesë dhe prezenca e nënkryetarit Beja, pra është një shqetësim që po vjen gradualisht nga dita në ditë në rritje. Duhet të kuptojmë një gjë, nuk ka të njëjtin perceptim për atë që quhet pronë sot, me atë që ka qenë para 17 vjetësh. Po kaq e sigurtë sa është edhe fakti tjetër se ky perceptim do të evoluojë më shumë pas dy apo tre vjetësh. Problemi qëndron që politika shqiptare duhet t‘u paraprijë këtyre evoluimeve të reja, politika për këtë është. Në qoftë se rrimë në pozicionet e vjetra, atëherë nuk japim asnjë zgjidhje. Nëse rrimë në pozicionin që pas meje u bëftë qameti, atëherë nuk do të bëhet asgjë. Por asgjë nuk do të zgjidhet nëse rrimë me idenë që ta shtymë deri në 2009-ën se do të bëjmë propozime të reja elektorale.
Problemi është se kemi arritur në një moment që duhet të shohim realitetin në sy të gjitha palët bashkë dhe të gjejmë dhe zgjidhjen që është më e përshtatshme. Duhet t‘i jepet fund praktikës së faljes së tokës, sepse falja e tokës është në të gjitha pozicionet qoftë te 7501, qoftë te ligji i fundit i legalizimeve me një çmim shumë qesharak. Deklaratat e bëra deri më tani që ne pronarët do t‘i kompensojmë me çmimin e tregut është një gjë që nuk qëndron, pasi qeveria e ka të pamundur që të shesë lirë dhe të blejë shtrenjtë. Kështu ka ndodhur me gjithë strategjinë tonë, qeveria ka falur kundrejt një premtimi, ndaj pronarëve që ne do t‘ju dëmshpërblejmë me vlerën e tregut. Këto gjëra nuk mund të realizohen, sepse nuk ka pse të penalizohet shoqëria. Kur themi se ne duhet të arrijmë në një konkluzion për t‘i parë gjërat në sy, kur një njeri ka përftuar një pronë që nuk është e tija, sot kemi ardhur në një marrëdhënie, që nëse do ta kesh tënden duhet ta blesh, duhet ta paguash, nëse do të vazhdojmë me termin e faljes, çështja e Kasharit do të vazhdojë sot e kësaj dite, edhe në zona të tjera.
Në takimin tuaj me nënkryetarin Beja ishte dhe presidenti i Unionit Ndërkombëtar të Pronarëve, cili ishte shqetësimi i tyre?
Po, kjo është e vërtetë, në takim dje ishin pesë përfaqësues të Unionit Ndërkombëtar të Pronarëve, mes tyre dhe presidenti dhe katër përfaqësues të shoqatës "Pronësi me Drejtësi". Në këtë takim, mesazhi i tyre ishte mjaft i qartë, asnjë nga bizneset e huaja nuk rriskon për të investuar në Shqipëri për sa kohë nuk është zgjidhur çështja e pronës. Ata theksuan se kur nuk trajtohen drejt vetë shqiptarët, si mund të presësh të ketë ndershmëri dhe trajtim korrekt të bizneseve të huaja. Ndaj u kërkua me këmbëngulje që çështjes së pronës t‘i jepet një zgjidhje sa më shpejt dhe konkrete.
Sot, në Kuvend, pritet të votohen amendamentet e kryetarit të grupit parlamentar të PR-së, Arian Madhi, për ligjin 7501. Cili është komenti juaj?
Nuk mund të flas saktësisht në lidhje me atë që është propozuar në Kuvend dhe që pritet të votohet. Pasi për këtë amendim ne kemi pasur sugjerimet tona, të cilat nuk janë marrë në konsideratë. Mund të them se propozimet që janë në Kuvend janë paraqitur pa u konsultuar me shoqatën "Pronësi me Drejtësi". Këtë e them me keqardhje, pasi PR-ja ka mbajtur një qëndrim dashamirës me shoqatën "Pronësi me Drejtësi", por për amendamentin ne nuk kemi një bashkëveprim sesi duhet vepruar. Të gjitha ato pretendime që ka paraqitur Madhi nuk kanë qenë qëndrime të kopsitura, pasi nuk ka pasur konsultime me ne. Kjo nuk krijon një shije të mirë në të ardhme në nivel bashkëpunimi, që ne e kemi kërkuar dhe vazhdojmë ta kërkojmë me PR-në.
A keni ndonjë koment në lidhje me deklarimet e Presidentit të Republikës pak ditë më parë, për çështjen e pronës?
Qëndrimi i Presidentit Topit ishte një deklarim i cili është mirëpritur nga pronarët shqiptarë. Është një qëndrim i drejtë. Ai tha një element të qartë, nuk kemi nevojë dhe asnjë arsye që ne të vazhdojmë të fshihemi pas gishtit, duhet ta heqim gishtin për të parë pamjen e qartë. Nëse ne themi se ka nevojë për një ligj të ri, këtë e themi në funksion të asaj që ndodh. Të gjitha ligjet që kanë dalë janë bërë më tepër amendime sesa nene ka pasur ligji. Edhe ligji i fundit për pronat ka 30 nene dhe janë bërë 28 amendime. Logjika të çon se ky ligj e ka humbur kuptimin, atëherë pse duhet të mbahet, ndaj duhen parë gjërat me sy më qartë, për të mos lënë vend për abuzime.
Deklarata
Topi: Hetime ndarjes së pronave
Pak ditë më parë, Presidenti Topi ka ngritur zërin për çështjen e ndarjes së pronave, duke bërë thirrje për një hetim thelbësor të të gjithë procesit të bërë deri më tani. Presidenti, duke folur edhe për ligjin aktual të ndarjes së tokës, atë 7501, ka akuzuar pushtetarët vendorë për abuzime. Ai tha se "të jeni të sigurt që abuzime të mëdha janë bërë pikërisht në zbatimin e ligjit 7501. Dhe së pari, kanë bërë abuzime pikërisht pushtetarët vendorë. Diku shprehet, diku nuk shprehet, diku sulmohet, sepse ata që sulmohen, ose janë kampionë të korrupsionit, ose diku kanë gjetur një siguresë mbrojtjeje që nuk i atakon. Kjo është një sëmundje endemike që i ka kapur të gjithë". Kreu i shtetit shqiptar, nuk ka lënë pa përmendur hetimet e fundit për abuzimet me pronat në zonën e Kasharit. Më pas, ai ka avancuar në akuzat e tij, duke theksuar se pas metropolit hetimet për abuzimet e pronave duhet të shtrihen edhe në zonën e bregdetit.
"Mbasi kanë marrë nën kontroll një pjesë të konsiderueshme të rasteve në mënyrë abuzive në zonën që konsiderohet metropol, kanë kaluar në bregdet. Dhe ku kanë kaluar, kanë kaluar pikërisht atje për të fituar territore të reja dhe për t‘i paraprirë pikërisht asaj që konsiderohet si prioritet i zhvillimit, sepse këta njerëz kanë aftësinë që të shikojnë larg, këta njerëz kanë aftësinë të shikojnë larg sepse ndjehen të rehatuar. Ndërsa ai që merret me parcelën e vet nuk mund të shikojë larg, ai shikon vetëm te parcela e tij. A ka përgjegjësi? Sigurisht që përgjegjësitë janë për t‘u evidentuar, që ka përgjegjësi kjo as që nuk diskutohet", deklaroi Presidenti i Republikës. Duke folur për zgjidhjen e situatës së krijuar, Presidenti theksoi se "çështja e pronave, të jemi të ndërgjegjshëm, nuk zgjidhet me pesë milionë dollarë në vit. Pesë milionë dollarë kushton vetëm një pronë në qendër të Tiranës.