PD dhe PS konsensus për rritjen e pragut në 4%
Dy partitë e mëdha, PD-ja dhe PS-ja, duket se për herë të parë janë të unifikuara në qëndrimin e tyre. Të dyja kërkojnë që pragu elektoral për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të rritet. Ky pretendim ka hasur në kundërshtinë e partive të vogla, të cilat kërkojnë që pragu i vjetër prej 2,5% të mos ndryshojë. Pak ditë më parë, deputeti socialist Kastriot Islami hodhi idenë e ndryshimit të pragut elektoral. Kjo ide është mbështetur dje edhe nga deputeti i mazhorancës, Preç Zogaj. Ky i fundit, më i drejtpërdrejtë në deklaratën e tij, ka theksuar se diskutimi i pragut është një histori e vjetër. "Partitë e vogla në Shqipëri janë të vetmet në Evropë që prej vitesh i bëhen pengesë ndryshimit të pragut elektoral. Ne kemi pragun më të ulët. Edhe Kosova, që ka demokraci më të re dhe ka më pak parti, vendosi një prag përfaqësues, që ishte pak i lartë për mendimin tim, por megjithatë përfaqësues", është shprehur Zogaj. Sipas tij, pragu prej 4%, edhe në teoritë e politologjisë, konsiderohet një prag përfaqësues politik. Ndërsa pragjet më të ulëta tha ai, nuk vlerësohen dhe nuk rekomandohen. "Mendoj se partitë e vogla dhe partitë e mëdha duhet të bien dakord tashmë përfundimisht që të vendosin një prag përfaqësues edhe një prag motivues. Pragu 2.5 % nuk motivon njeri, ka më shumë se 15 vjet dhe do të bëhen dhe 20 vjet dhe do të mbeten parti që nuk motivohen për t‘u rritur, qëndrojnë gjithnjë në të njëjtat nivele", ka theksuar deputeti i PD-së Zogaj. Ai ka kërkuar që t‘i jepet fund kësaj praktike të ndjekur deri më tani në Shqipëri dhe partitë të gjejnë gjuhën e përbashkët për të dalë me një qëndrim, sepse nuk ka arsye për të pasur përplasje për çështjen e pragut. Prej disa ditësh, në komisionin e reformës zgjedhore, ka nisur diskutimi për pragun elektoral dhe për modelin që do të zgjedhë politika shqiptare për të adaptuar për reformën zgjedhore. Nga katër modelet të propozuara nga OSBE-ja, politika shqiptare ka përzgjedhur dy si më të përshtatshmin, modelin gjerman dhe atë spanjoll. Në ditët në vazhdim mbetet për t‘u vendosur përfundimisht se cili do të jetë modeli që vendi ynë do të adaptojë për ta zbatuar në zgjedhjet e ardhshme.