Balla: Topalli mashtroi për Klintonin
Deputeti i PS-së, Taulant Balla, i ka kërkuar dje sqarime Kryetares së Kuvendit, Topalli, lidhur me mashtrimet e saj ndaj qytetarëve për takimet e "suksesshme" të realizuara në SHBA. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla tha se "përmes faqes së internetit të Kuvendit, që është kthyer në ‘Facebook‘-un e zonjës Topalli, është njoftuar se Kryetarja u shoqërua në Uashington nga ‘kongresmeni‘ Bill Hanbury, i cili nuk ishte një kongresmen, por një pronar limuzinash". Gjithashtu, tha Balla, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë njoftoi se është takuar me zonjën Hilari Klinton, Sekretare e Shtetit dhe ish-senatore e Nju Jorkut, por edhe kjo nuk është e vërtetë. "Është e turpshme", tha deputeti i PS-së, "se si Shqipëria turpërohet në këtë mënyrë nga këta lloj individësh, të cilët bëhen qesharakë në sytë e të gjithë botës".