Topalli: Opozita të lexojë rregulloren
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka ratifikuar dje kredencialet e delegacionit parlamentar të Shqipërisë, si dhe emrin e Ilir Rusmalit si anëtar i delegacionit shqiptar. Nga Strasburgu bëhet e ditur se, pas ekzaminimeve të objeksioneve të ndryshme të bëra, Asambleja Parlamentare e KE-së ka dalë në përfundim se nuk ka tregues që parimet e garantuara nga rregullat e procedurave të Asamblesë nuk janë respektuar në emërimin e anëtarëve të delegacionit parlamentar të Shqipërisë dhe më tej vendosi, në një rezolutë unanimisht të miratuar sot, të ratifikojë kredencialet e tyre. Ky lajm është pritur si një triumf nga mazhoranca, e cila nëpërmjet Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vlerësuar qëndrimin e Këshillit të Evropës. Topalli, duke iu drejtuar opozitës, u ka kujtuar këtyre të fundit se KE-ja ka votuar emrin e Ilir Rusmalit si anëtar të delegacionit shqiptar, pasi Komisioni i Rregullores e kishte gjetur zëvendësimin e tij, në mbështetje të plotë të rregullores së KE-së dhe të Kuvendit shqiptar. Kryeparlamentarja i ka quajtur mashtrime dhe gënjeshtra deklarimet e bëra nga opozita dhe deputeti i saj, Kastriot Islami, se gjoja janë ngrirë kredencialet për Shqipërinë. Ajo ka këshilluar deputetët e opozitës, se herë të tjera, para se të flasin për rregulla e ligje, bëjnë mirë të kalojnë nga një xhiro në Strasburg për të parë se si funksionojnë gjërat. Gjithashtu, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se deputetët e opozitës duhet të lexojnë rregulloren e Kuvendit para se të bëjnë deklarata për shtyp dhe akuza publike, të cilat rezultojnë si të pabaza.
Ky lajm është pritur si një triumf nga mazhoranca, e cila nëpërmjet Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vlerësuar qëndrimin e Këshillit të Evropës
Ky lajm është pritur si një triumf nga mazhoranca, e cila nëpërmjet Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vlerësuar qëndrimin e Këshillit të Evropës