E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, Klintonit: Do të pres si hero kombëtar në Shqipëri

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, fton në Shqipëri ish- presidentin e SHBA-së, Bill Klinton. Gjatë takimit të djeshëm në Forumin Ekonomik të Davosit, kreu i qeverisë shqiptare i premtoi ish-presidentit amerikan se do ta presë si hero kombëtar në Tiranë.

"Tani sapo u ndava me presidentin Klinton dhe pata kënaqësinë e madhe, sepse më riafirmoi gatishmërinë dhe vendosmërinë e tij për të vizituar Shqipërinë në një kohën sa më të shpejtë e të mundshme për të. E sigurova se do të pritet si një hero kombëtar nga të gjithë shqiptarët për atë që ai ka bërë për lirinë e tyre", u shpreh Kryeministri. Është tashmë i konfirmuar fakti që Shqipëria është një adhuruese e madhe e presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pas pritjes madhështore të Presidentit Xhorxh Bush në Tiranë, Kryeministri fton ish-presidentin Bill Klinton, duke i premtuar dhe siguruar se "do të pritet si hero kombëtar nga të gjithë shqiptarët". Kreu i qeverisë takoi edhe Penny Pritzker, drejtoreshë ekzekutive e grupit PRITZKER REALTY GROUP L.L.C, një nga kompanitë më të mëdha të hotelerisë dhe turizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pritzker ka qenë gjithashtu ish-drejtoreshë e përgjithshme e financave në stafin elektoral të Presidentit të SHBA-së, Barak Obama. Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Klinton, në sesionin e tij në Samitin e Davosit, gjatë fjalës që mbajti parashtroi se nga kriza ekonomike dilet duke ndihmuar njëri-tjetrin. Klinton theksoi se "është e domosdoshme që programi i Presidentit Obama të mbështetet nga vendet e tjera, duke blerë bonot e thesarit në interesin e tyre më të mirë, që Amerika të rrisë kapacitetet e saj importuese. Pra, po studiohen të gjitha aspektet e krizës". Kryeministri Berisha e cilësoi si një seancë shumë të rëndësishme, ku ish-presidenti Klinton i garantoi audiencës dhe botës së Presidentit Obama se do të çojë përpara procesin e zgjidhjes së krizës financiare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u shpreh me nota të qarta optimiste. Në momentin ku të gjitha qarqet diplomatike ndërkombëtare pozicionohen kundër Kryeministrit Berisha për ligjin e lustracionit, ky i fundit ka zhvilluar një seri takimesh të rangut të lartë gjatë punimeve të Samitit Ekonomik të Davosit në Zvicër.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›