E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengu në Durrës, nën akuzë për trafik klandestinësh

Prokuroria e Krimeve të Rënda nis hetimet ndaj biznesmenit durrsak, i cili u mor peng disa ditë më parë në Durrës. Gazmir Leka akuzohet për trafik klandestinësh, pasi dyshohet se ka gënjyer disa persona, duke u marrë shpërblim të majmë me premtimin se do t‘i dërgojë jashtë shtetit. Por personat, pasi kanë shkuar deri në Malin e Zi, janë kthyer, pasi me dokumentacionin që dispononin nuk mund të shkonin më tej. Kanë ardhur në Shqipëri dhe kanë marrë peng mashtruesin. Megjithëse është marrë peng, prokuroria ka filluar një hetim ndaj tij me akuzën e trafikut të klandestinëve. Gazmir Leka, banor i Lagjes 10 në Durrës, është rrëmbyer para disa ditësh në Durrës nga tre persona, të cilët janë vënë në pranga. Burimet e policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se Ismail Hamiti, 47 vjeç, Andrea Leka, 28 vjeç dhe Arselona A., 20 vjeçe, që të tre banorë të qytetit të Lushnjës, janë autorët që kanë organizuar rrëmbimin dhe mbajtjen për tri ditë të izoluar të 37-vjeçarin Gazmir Leka. Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se pengmarrja është kryer për shkak të borxhit prej 7000 eurosh që Gazmir Leka i kishte marrë Andrea Lekës në muajin nëntor të vitit të kaluar, borxh i cili nuk i ishte kthyer këtij të fundit pas kërkesave të shumta. Në këto kushte është bërë edhe plani për mënyrën sesi mund të merrej mbrapsht borxhi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›