Miratohet Rezoluta për aplikimin në BE
Me konsensusin e opozitës, mazhoranca ka miratuar dje Rezolutën për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Rezoluta u miratua, duke marrë parasysh disa nga propozimet e bëra në Komisionin e Jashtëm nga deputetët e opozitës, por nuk janë pranuar propozimet e bëra dy ditë më parë në Komisionin e Integrimit. Në Rezolutë, i "kërkohet qeverisë shqiptare që, përpara se të paraqesë aplikimin për të kaluar si vend kandidat për anëtarësim në BE, të hartojë dhe t‘i paraqesë Kuvendit një program pune me afate konkrete dhe rezultate të matshme, në të cilin duhet të adresohen të gjitha çështjet që lidhen me infrastrukturën dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit 2009". Gjithashtu, Kuvendi inkurajon qeverinë shqiptare që, në momentin e përshtatshëm, në konsultim me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të BE-së, të paraqesë aplikimin e Shqipërisë për të kaluar si vend kandidat në këtë organizëm dhe të raportojë për këtë në Parlament, lidhur me ecurinë e negociatave. Në Rezolutë kërkohet forcimi i kapaciteteve administrative për implementimin e MSA-së dhe të detyrimeve të Marrëveshjes Interim; intensifikimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pastrimin e parave; adresimin e detyrimeve në kuadër të procesit të liberalizimit të plotë të vizave me vendet e BE-së; respektimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, të së drejtës së pronës dhe lirisë së mediave.
Në Rezolutë kërkohet forcimi i kapaciteteve administrative për implementimin e MSA-së dhe të detyrimeve të Marrëveshjes Interim
Në Rezolutë kërkohet forcimi i kapaciteteve administrative për implementimin e MSA-së dhe të detyrimeve të Marrëveshjes Interim