E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: NATO, asistencë për demontimin

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka kërkuar ndihmë NATO-s për të demontuar armët dhe municionet e vjetra që ndodhen në vendin tonë. Gjatë takimit me komandantin e Forcave Aleate në Napoli, admiral Mark P. Ficxherald, kreu i shtetit ka bërë thirrje që forcat e specializuara të NATO-s të asistojnë në këtë proces, që është mjaft i rëndësishëm për ushtrinë shqiptare. "Diskutuam për çështjet e çaktivizimit të municioneve, në mënyrë që ky të jetë një proces konstant, i pandërprerë, i ndjekur në mënyrë profesionale, në bashkëpunim me strukturat e NATO-s dhe në mënyrë që të mos kemi më situata dramatike, që vijnë pikërisht nga ky lloj aktiviteti", është shprehur Presidenti Topi. Kjo deklaratë ka gjetur mbështetje tek admirali i NATO-s, i cili ka theksuar se "ne jemi të gatshëm t‘ju ndihmojmë për eliminimin e municioneve të tepërta dhe gjithashtu do t‘ju ndihmojmë për hartimin dhe miratimin e ligjeve të duhura për sa i përket reformës në sektorin e sigurisë". Gjatë këtij takimi, Topi i ka shprehur admiralit mirënjohjen ndaj SHBA-së, për mbështetjen dhe ndihmën e gjithanshme që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e transformimeve të saj demokratike, si dhe për kontributin e mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO. Kreu i shtetit, ka theksuar se "vendimi i SHBA-së në përkrahje të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë, inkurajon proceset demokratike në Shqipëri dhe forcon vullnetin e popullit shqiptar për të ndërtuar një shtet të së drejtës, lirisë e të respektit ndërinstitucional, një shtet të aftë për sfidat që i rezervon e ardhmja". Duke u ndalur në rolin moderator të Shqipërisë në rajonin ballkanik, gjatë bisedës, Presidenti Topi ka vënë në dukje se vullneti maksimal i shtetit shqiptar për bashkëpunimin rajonal dhe realizimin e filozofisë së integrimit rajonal me bindjen se integrimi nё NATO i vendeve tona do tё thotë mё shumë siguri, paqe dhe qëndrueshmëri nё të gjithë rajonin. Pjesë e bisedës së kreut të shtetit me admiralin Ficxherald, ka qenë edhe çështja e Kosovës. Presidenti Topi është shprehur se është në rrugën e sigurt të konsolidimit të institucioneve të saj dhe krijimit të një shteti multietnik, ku respektohen të gjitha të drejtat e pakicave, me synimin e qartë për t‘u integruar si në familjen e madhe evropiane, ashtu edhe në strukturat euroatlantike. Ndërsa nga ana e tij, admirali Ficxherald ka shprehur admirimin për arritjet dhe sukseset e shënuara nga vendi ynë gjatë viteve të fundit, duke e vlerësuar lart rolin e rëndësishëm të kreut të shtetit gjatë proceseve integruese dhe ruajtjen e ekuilibrave shoqërore dhe garantimin e Kushtetutës e të pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese, si edhe për atë rol që ka luajtur e vazhdon të luajë Shqipëria dhe faktori shqiptar, jo vetëm për paqen e qëndrueshmërinë rajonale, por edhe më gjerë. Admirali Ficxherald ka vlerësuar si sinjale shumë të mira e pozitive edhe reformimin e Forcave të Armatosura shqiptare, punën e suksesshme të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes, bashkëpunimin e ngushtë me Aleancën, pjesëmarrjen aktive të Forcave të Armatosura në misionet paqeruajtëse anembanë botës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›