Balla: Topalli shpenzoi 756.430 euro me udhëtimet jashtë vendit
Autori i Lajmit: Redaksia
Ndërsa i është vërsulur për herë të dytë kryetares së Parlamentit, deputeti socialist Taulant Balla deklaroi dje se “zonja Jozefina është kujtuar tepër vonë për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën, për aq kohë sa sipas nenit 74 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, seanca e javës së tretë të janarit, pra e datës 18 janar 2010, është seanca e parë e sesionit të ri kuvendor”. Sipas tij, Zonja Jozefina u kujtua tepër vonë për një seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën, sepse kur Buna dhe liqeni filluan të derdhen mbi Shkodër, ajo ia mbathi për turizmin politik të radhës dhe për shoping në Rue Neuve, dyqaneve më të shtrenjta të Brukselit, për blerjet e jashtëzakonshme të rrobave të reja për vitin e ri 2010. “Zonja Jozefina nuk u kujtua për seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit kur ministri përgjegjës, Dritan Prifti, nuk ishte në krye të detyrës sepse festonte ne një nga hotelet më të jashtëzakonshëm të Stambollit, teksa Shkodra dhe veriu përmbyteshin nga papërgjegjshmëria e tij dhe e Sali Berishës”, theksoi Balla. Sot, vijoi ai, që zonja Jozefina po bën një politikë tallëse me fatkeqësinë e Shkodrës e me Kushtetutën u kujtoj shkodranëve e gjithë shqiptarëve, se deri më datë 13 janar 2010, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, ka harxhuar për udhëtime jashtë vendit, 7 herë më shumë se të gjithë kryetarët e Kuvendit të Shqipërisë të marrë të gjithë sëbashku. Deri tani turistja Jozefina Topalli i ka kushtuar buxhetit shqiptar 756.430 euro: “Zonja Jozefina ka shpenzuar 2 herë e gjysmë më shumë sesa Kryetarët e Parlamenteve të Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjë Herzegovinës të marrë sëbashku”. Ai ftoi Topallin ti lërë diversionet me seanca të jashtëzakonshme e me djegie mandatesh të deputetëve socialistë, sepse jo vetëm ska ndërmend kush tia falë ato mandate Sali Berishës, por me fuqinë e jashtëzakonshme të popullit do të djegim mandatin e këtij parlamenti e të kësaj qeverie përmes protestave që nuk do të ndalen nëse Saliu dhe zonja Jozefina nuk pranojnë të hetohen kutitë ku mbajnë peng të vërtetën e mandateve të tyre.
Ky lajm është publikuar: 17/01/2010