Balla: “Topalli urdhëron vjedhjen e zyrave të deputetëve socialistë”
Autori i Lajmit: Redaksia
Dhunohet zyra e deputetit të Librazhdit, Taulant Balla. Punonjës të prefekturës së këtij qyteti janë paraqitur pranë zyrës, e vendosur në ambientet e Bashkisë, dhe e kanë boshatisur atë. Pas këtij akti ka reaguar deputeti Taulant Balla, i cili akuzon kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, se ka urdhëruar dhunimin e zyrës së tij. Balla sqaron se kompjuterët, tavolinat e punës, karriget dhe të gjitha dosjet e dokumentacionit janë nxjerrë përjashta në thyerje të çdo norme ligjore. “Demokracia në Shqipëri është në ditën e vet më të zezë, ndërsa parlamentarizmi është më i rrezikuar se kurrë, për shkak se në krye të Kuvendit është një zonjë që nga njëra anë kërcënon me letra pa vlerë se do na marrë mandatet që na ka dhënë populli, dhe nga ana tjetër orkestron vjedhjen me forcë të zyrave të deputetëve, ku ne takojmë zgjedhësit tanë. I bëj thirrje zonjës Topalli dhe Sali Berishës të heqin dorë nga ky presion i ulët dhe të kthejnë menjëherë mbrapsht zyrën time si deputet i Librazhdit. Ndërkohë unë do të padis në prokurori dhunuesit e zyrës sime në Librazhd si një dhunim i institucionit të deputetit”, - pohoi Balla. Mësohet se kjo zyrë i është marrë me forcë deputetit Taulant Balla për ti kaluar një deputeti të PD-së të qarkut Elbasan.
Ky lajm është publikuar: 20/01/2010