Montobio: “Bojkoti i PS nuk është i mirë për vendin”
Autori i Lajmit: Redaksia
Ambasadori i Spanjës, Emanuel Montobio, i shoqëruar nga kryetari i Misionit të BE-së në Tiranë, Lohan, i prezantoi dje Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, programin dhe prioritet e presidencës spanjolle të Bashkimit Evropian, ndërsa deklaroi se bojkoti i opozitës nuk është i mirë për vendin dhe demokracinë. “Parlamenti është vendi për opozitën. Bojkoti nuk është i mirë për vendin dhe për demokracinë”, - tha ai. Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit tha se “Kushtetuta është e qartë dhe ajo do të zbatohet”. Më tej Montobio pohoi se zgjerimi i BE-së është një ndër prioritet e kësaj presidence tashmë edhe pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës. Ai tha se mbështet Shqipërinë për heqjen e vizave duke vlerësuar progresin e bërë nga pala shqiptare në plotësim të angazhimeve. Ambasadori spanjoll tha se Parlamenti Evropian ashtu si Parlamenti shqiptar do të jenë institucionet me peshën kryesore në këtë proces. Ai vlerësoi diplomacinë parlamentare si një veprimtari efikase dhe me impakt konkret në përshpejtimin e procesit integruese të Shqipërisë. “Bashkimi Evropian, veç zgjerimit ka si prioritete ndërtimin e një modeli të ri ekonomik, sfidat e ndryshimeve klimaterike dhe forcimin e BE-së si një faktor ndërkombëtar, përmes koordinimit të politikave në nivel transatlantik në bashkëpunim me SHBA-në, Kanadanë, Amerikën Latine e Azinë”, - tha ai. Ambasadori spanjoll tha se në kuadër të Unionit Mesdhetar, po shihet politika e një zone të lirë ekonomike gjë që do të ketë impakt pozitiv edhe për Shqipërinë si vend anëtar. Kryetarja e Kuvendit i bëri urimet më të mira ambasadorit spanjoll për presidencën spanjolle të BE-së. Ajo tha se Shqipëria ka besim te kjo presidencë për zgjerimin dhe heqjen e vizave, pasi shqiptarët janë populli më proevropian.
Ky lajm është publikuar: 20/01/2010