Topi: “Më shumë bashkëpunim ekonomik me Kosovën”
Autori i Lajmit: Redaksia
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje një grup deputetësh të Kuvendit të Kosovës, të përbërë nga kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, Naser Rugova, i cili shoqërohej nga Tom Hajdari dhe Albatros Rexha. Pasi u uroi deputetëve mirëseardhjen, Presidenti u shpreh se Republika e re Kosovës dhe lidershipi i saj kanë dëshmuar, sidomos pas zgjedhjeve të fundit, aftësitë për të ndërtuar një shtet demokratik dhe multietnik me synime të qarta integruese në gjirin e familjes evropiane dhe strukturat euroatlantike. Kreu i Shtetit shqiptar theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona duke nënvizuar rolin që luan në këtë drejtim ndërtimi i arterieve infrastrukturore si dhe zbatimi i projekteve të përbashkëta në fushën e bujqësisë, agrobiznesit, etj. Pasi e falënderuan Presidentin e Republikës për pritjen, deputetët e Kuvendit të Kosovës e informuan Topin rreth përpjekjeve dhe sfidave të Kosovës për të rritur akoma edhe më tepër njohjen ndërkombëtare të Kosovës, për zhvillimin e mëtejshëm dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, që do të pasohen nga proceset e integrimit euroatlantik dhe ato për në Evropën e Bashkuar.
Ky lajm është publikuar: 20/01/2010