E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Vonesa e kartave po rrezikon zgjedhjet

Partia Socialiste, nëpërmjet deputetit Taulant Balla, ka rideklaruar dje se zgjedhjet e 28 qershorit janë në rrezik, sepse mazhoranca nuk po pranon ngritjen e komisionit ad-hoc për monitorimin e përgatitjes së procesit zgjedhor. Gjatë një konference për shtyp, deputeti Balla theksoi se procesi i shpërndarjes se kartave po ecën me ritme shumë të ngadalta dhe kjo rrezikon të pengojë seriozisht zhvillimin e zgjedhjeve sipas të gjitha standardeve demokratike. Sipas tij, procesi për kartat e identitetit është bllokuar në pjesën më të madhe të njësive vendore. Duke u ndalur në shifra konkrete, Balla tha se "nga informacioni i përditësuar që ne kemi, rezulton se deri ditën e djeshme procesi nuk ka filluar në 372 njësi vendore, nga 384 njësi gjithsej. Pra, procesi nuk ka filluar për 60% të popullsisë së Shqipërisë". Një tjetër shqetësim i PS-së që është ringritur sërish dje, është fakti se lista e përgatitur nga Ministria e Brendshme prej 730000 shtetasish pa pasaportë ndërkombëtare, nuk është e plotë. Pretendimi i PS-së është se numri i shtetasve shqiptarë për të cilët është e domosdoshme pajisja me letërnjoftim elektronik, është edhe më i madh. Gjithashtu, selia rozë ka theksuar se nga ana e qeverisë mungon transparenca dhe një grafik i qartë i shpërndarjes në territor, e cila po shoqërohet edhe me kundërshtimin sistematik të mazhorancës, për ngritjen e një komisioni monitorues parlamentar, të përfaqësuar në shumicë nga opozita. PS-ja është e mendimit, se mosngritja në kohë e komisionit parlamentar të monitorimit për këtë proces, i heq të vetmen mundësi efektive opozitës, për të pasur akses dhe informacion, mbi të gjitha për të përcaktuar qartë dhe përfundimisht ku fillon dhe ku mbaron përgjegjësia e qeverisë ndaj zgjedhësve shqiptarë. Për të gjitha këto parregullsi dhe zvarritje të procesit parapërgatitor për zgjedhjet e 28 qershorit, PS-ja akuzon Kryeministrin Berisha, si përgjegjësin kryesor politik e ligjor për sabotimin e këtij procesi. "Ne vërejmë me shqetësim, se është Kryeministri ai që po e pengon këtë proces në mënyrë të qëllimshme, për të rikthyer ëndrrën e tij të votimit me certifikatat që ai i ka shumë për zemër. Është pikërisht kjo ëndërr e Sali Berishës, që e ka shtyrë Ministrinë e Brendshme të prokurojë brenda muajit mars 4 milionë e 600 mijë certifikata", është shprehur deputeti i PS-së, Balla. Ndaj, në emër të selisë rozë, Balla i ka kërkuar Kryeministrit të heqë dorë nga deklaratat demagogjike dhe mashtrimet publike, por të hapë urgjentisht zyrat e aplikimit në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit, të krijojë kushtet për identifikimin dhe njoftimin real të shtetasve pa pasaporta, duke bërë të qartë edhe datën e pajisjes, si dhe të miratojë ngritjen e komisionit parlamentar ad-hoc për monitorimin e procesit të përgatitjes për zgjedhje dhe drejtimin e tij nga opozita, si mundësi reale për të garantuar transparencën e kërkuar në procesin zgjedhor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›