Rama: PS do të bëjë shtet për të gjithë
Turi i kryetarit të opozitës Edi Rama me rrjetin e vullnetarëve në qytete të ndryshme të vendit ka ndaluar dje në zonën jugore të vendit, në Ersekë. Në këtë fushatë paraelektorale, shefi i socialistëve ka nënvizuar nevojën e një politike të re, që jep arsye për bashkim dhe jo për ndasi. Rama përballë të rinjve kolonjarë ka thënë se njerëzve të thjeshtë nuk u intereson se kush qeveris, por rezultatet e qeverisjes. "Kam takuar me dhjetëra mijëra njerëz në të gjithë Shqipërinë dhe jam njohur me kushtet e rënda të jetesës së tyre. Fatet e familjeve të tyre të kërcënuara nga plagët e rënda ekonomike dhe sociale mua më kanë bindur se Shqipëria reale qëndron përtej së majtës dhe së djathtës", është shprehur Rama. Gjithashtu, kryetari i opozitës ka premtuar se nëse aleanca progresiste fiton zgjedhjet do të ndërtojë shtetin e të gjithëve dhe mundësitë për punësim do të jenë të barabarta si për të majtët ashtu dhe për të djathtët. "Njerëzve u duhet një shtet i paanshëm, që nuk është as i socialistëve dhe as i demokratëve dhe çdokush duhet të marrë atë që meriton, pavarësisht kujt partie i përket", ka theksuar Rama gjatë takimit të tij më banorët e Ersekës. Fitorja e zgjedhjeve politike të 28 qershorit nuk do të shërbejë për të larguar një palë ministra dhe për të ngjitur në kolltuk disa të tjerë, por për të ndërtuar një shtet tërësisht në dispozicion të qytetarëve, me qëllim përmbylljen e tranzicionit 18-vjeçar në vend. Më tej, kryetari i PS-së ka nënvizuar idenë se 126 ditë nga sot, do t‘i hapet rrugë ëndrrës 18-vjeçare të shqiptarëve për një Shqipëri si e gjithë Evropa. Do ta bëjmë këtë, tha Rama, jo më përmes një pazari të zanatçinjve të politikës së vjetër. Më pas Rama ka theksuar se "më 28 qershor shumica e papushtetshme do ta çlirojë nga litarët e interesave të pakicës së pushtetshme ëndrrën evropiane të lirisë, barazisë, e vëllazërimit. Dua të përsëris qartë sot, se një fitore falë mënyrës së vjetër për t‘u marrë vesh, mes zanatçinjsh të pazarit politik, juve nuk ju intereson". Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka bërë apel si në Korçë edhe në Ersekë, që askush mos ta lërë vendin e tij bosh në këto momente kur vendoset fati i gjeneratës së re.